Ende pa u mbyllur afera e Rezervave Shtetërore me aktakuzë ndaj ministres në detyrë Rozeta Hajdari, policia ka trokitur në dyert e Ministrisë së Tregtisë për hetimin e një rasti të ri penal.
“Paparaci” ka siguruar memorandumin zyrtar të Policisë së Kosovës, të lëshuar më 26 gusht me të cilin i kishte kërkuar Ministrisë të gjitha vendimet që ka nënshkruar Hajdari prej 27 marsit të vitit 2025.
“Bazuar në kërkesën për grumbullimin e informacioneve relevante, të lëshuar nga PSRK PPS nr.75/2025, kërkojmë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të na ofrojë të dhëna lidhur me Ministren në Detyrë, znj. Rozeta Hajdari dhe atë shkresat si në vijim: Vendimet e nxjerra nga znj.Hajdari prej datës 27.03.2025 e tutje; Të dhëna mbi pagat mujore, pagesat për udhëtime zyrtare të znj.Hajdari prej datës 27.03.2025”, thuhej në memorandumin e Policisë.
Kërkesa ndaj Hajdarit për informacione rreth vendimeve që ka marrë dhe pagave mujore e pagesat për udhëtimet zyrtare, është nisur vetëm një muaj pasi “Paparaci” kishte raportuar se rasti i Rezervave Shtetërore, që është hetuar tash e dy vjet nga Prokuroria Speciale, do të rezultojë me aktakuzë ndaj Hajdarit.
Nga ministria e Hajdarit kanë heshtur për rastin e ri, mirëpo burimet e “Paparacit”, kanë thënë se është vetëm fazë fillestare dhe pas grumbullimit të provave Prokuroria Speciale do të vendosë nëse ka rast për marrjen e aktvendimit për hetime.
Aktakuza për Rezervat Shtetërore
Aktakuza pritet t’i ngarkojë penalisht, përveç ministres Hajdari, edhe afaristin Ridvan Muharremi, i afërt me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe dy zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara. Ata dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe dhënies së ndihmës në kryerjen e veprës penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’.
Afera e Rezervës Shtetërore, e cila doli në pah pas raportimit në media në vitin 2023, zbuloi përfshirjen e ministres Hajdari dhe zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Tregtisë në keqpërdorime në procesin e blerjes së rezervave shtetërore.
Rreth 52.5 ton grurë të destinuara për Rezervat Shtetërore të Mallrave nuk erdhën kurrë.
Për këtë tender ishin kontraktuar kompani turke e polake me ndërmjetësimin e afaristit Ridvan Muharremi, një njeriu të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Dëmi kryesor që iu shkaktuar buxhetit të shtetit dyshohet se është blerja e mallit në një vlerë mbi 5 milionë euro më shtrenjtë sesa vlera e çmimeve të tyre në treg. Kjo është konstatuar nga një ekspertizë e Prokurorisë Speciale.
Për të njëjtin rast, kryeministri Albin Kurti është urdhëruar nga Gjykata e Prishtinës të paraqitet për t’u marrë në pyetje, por ai ka refuzuar të paraqitet në Prokurorinë Speciale. Për këtë refuzim të dëshmisë, ai është dënuar me gjobë 250 euro nga gjykata.