Kreu i PD-së, Sali Berisha, foli për mediat pas mbylljes së seancës së parë parlamentare të legjislaturës së re.
Ai tha se ky parlament i ri është i karteleve të drogës, ndërsa kritikoi drejtuesin e seancës, mjekun Vasil Llajo, se nuk kishte eksperiencë parlamentare dhe se sipas Berishës ai ka asgjësuar rregulloren e parlamentit.
“Ambasadorët ishin të pranishëm. Unë nuk kam punë me ta, kam punë me qytetarët e mij. Ambasadorët janë të pranishëm, nuk bëra gjë tjetër veçse thashë se në këtë parlament janë kartele të drogës. Të vret Zoti të mos e thuash këtë. Si mund ta lejoja unë Vasilin, që është një mjek dhe nuk ka asnjë eksperiencë parlamentare, dhe e mashtrojnë këta si duan? Parlamenti është rrëzuar që dje në momentin që shpalli komisionet që nuk ekzistojnë në rregullore, dhe ai nuk e di. Kaq është puna, ai asgjësoi dhe rregulloren e parlamentit”, tha Berisha.
Ndërsa gazetarët e pyetën se në rregullore nuk parashikohen diskutimet, Berisha u përgjigj se kjo që thonë ata ndodh në një parlament normal, jo si ky që është.
“Kur nuk është parlament normal, nuk është kjo që thoni ndërsa po të ishte parlament normal, do ishin edhe procedurat normale”, tha Berisha.