Kryetari i LDK-së, Lumir Abdhxhiku, ka reaguar pasi Distria Krasniqi fitoi Medaljen e Artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Ai ka thënë se sportistët tanë mbesin ambasadorët më të denjë të Republikës.
“Na mbajnë faqebardhë e na bëjnë zemrat mal me çdo paraqitje gjithandej nëpër botë. Janë inspirim i vërtetë për plot të tjerë që një ditë ëndërrojnë ta bëjnë krenar një komb të tërë”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë i tij:
Medalja e parë në këtë Olimpiadë – që në ditën e parë – dhe atë e artë. Është Distria e artë! Toni Kuka ja del sërish; një mjeshtër i madh!
Sportistët tanë, të rinjtë e të rejat tona, mbesin ambasadorët më të denjë të Republikës. Janë pasuria më e madhe e vendit tonë. Na mbajnë faqebardhë e na bëjnë zemrat mal me çdo paraqitje gjithandej nëpër botë. Janë inspirim i vërtetë për plot të tjerë që një ditë ëndërrojnë ta bëjnë krenar një komb të tërë. Distria e hapi rrugën e medaljeve në ‘Tokyo 2020’ sot. Le ta vazhdojnë Majlinda, Akili, Nora, Lorjana, Egzoni, Donjeta, Driloni, Musa, Eda e Olti!
Gjithmonë, çdokund e çdoherë krenarë me ju!