Policia gjen armë në veri, dyshohet se janë të një personi që kërkohet për Banjskën

Policia gjen armë në veri, dyshohet se janë të një personi që kërkohet për Banjskën

Policia e Kosovës tha se gjatë një kontrolli në veriun e Kosovës ka gjetur pajisje ushtarake, që tha se dyshohet se i përkasin një personi që kërkohet për sulmin në Banjskë.

Sipas policisë, mëngjesin e 18 shtatorit, njësia e hetimeve Stacionit Policor Zveçan ka hasur në një rimorkio ku gjeti “dy thasë me uniforma, jelekë antiplumbë, pesë karikatorë të AK-47 me municion dhe pajisje tjera ushtarake”.

Po ashtu janë konfiskuar rroba të tjera ushtarake, përfshirë edhe një uniformë kamofluese.

“Nuk ka persona të arrestuar dhe dyshohet se këto armë i përkisnin një personi të dyshimtë, i cili tashmë është në kërkim për rastin Banjska”, tha Policia, duke shtuar se ky rast është nën hetim.

Mjetet e dyshimta të cilat janë konfiskuar janë si ne vijim:

1 Uniformë ushtarake kamufluese,

5 karikator me 132 fishek të armës AK-47,

5 fatrolla për mbajtje te karikatorëve në gjoks,

4 pale pantallona ushtrak,

4 jakne ushtarake,

3 fotrolla të radiolidhjeve,

1 antiplumb,

2 rripa brezi ushtarak

1 jelek taktik,

1 çantë taktike

1 helmetë e gjelbër

1 kapelë, dhe

1 dritë rrotative

Më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast. Aktualisht, gjykimi po zhvillohet ndaj tre të akuzuarve. Ndërkaq, Radoiçiq dhe 41 të tjerë të akuzuar për këtë rast ndodhen në arrati. Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi.

Ndryshe, autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Related Articles