Sa do të ndikojnë dëshmitë e Rubin dhe Williams në aktgjykimin përfundimtar – ekspertët flasin për Gazetën Enigma

Sa do të ndikojnë dëshmitë e Rubin dhe Williams në aktgjykimin përfundimtar – ekspertët flasin për Gazetën Enigma

Dy dëshmitarë tejet me rëndësi, ish-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James Rubin dhe Paul Williams, që ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, përfunduan dëshmitë e tyre para Dhomave të Specializuara, lidhur me veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e Hashim Thaçit (kjo pasi dyshja u ftuan për dëshmi nga mbrojtja e Thaçit), shkruan Gazeta Enigma.

Në ditën e parë të dëshmisë, Rubin e bëri të qartë se UÇK-ja nuk kishte organizim të mirëfilltë dhe se urdhrat nuk mund të merreshin nga një aktor i vetëm. Tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, duke u detyruar të konsultohej me persona të tjerë për miratimin e vendimeve. Rubin po ashtu tha se UÇK-ja mori në dorë fatin e njerëzve të tyre, për të mos lejuar masakrimin nga Serbia dhe se Amerika nuk gjeti asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së donin të ekzekutonin njerëz.

Në ditën e dytë të dëshmisë, Rubin kritikoi ashpër Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk është drejtësi të mbahet në paraburgim një burrështetas që vetë insistoi në hapjen e kësaj gjykate.

“Më shqetëson që dikush të jetë i paraburgosur për 5 vite para se të ndiqet penalisht. Mendoj që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë bashkëpunues me gjykatën. Unë për veten nuk e shoh këtë si sundim të ligjit. Znj. Albright nuk ka pasur në mendje këtë lloj drejtësie”, theksoi ai para Prokurorisë.

Në ditën e tretë, Rubin e përfundoi dëshminë dhe filloi Williams. Ai konfirmoi deklaratat e mëparshme nga Rubin, duke thënë se Thaçi s’kishte kontroll të plotë mbi negociatat që po zhvilloheshin në Rambuje dhe se ai përfaqësonte interesat nga jashtë.

Sot, Williams tha se pa komandantët e zonave, Thaçi s’kishte autoritet të vendoste dhe se UÇK-ja ishte strukturë mbi baza rurale dhe jo e bazuar në rregulla. Ai po ashtu pohoi se masakra e Reçakut ishte shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare.

“Dëshmitë ndihmojnë gjykatën të kuptojë më mirë rrethanat e kohës dhe rolin që kanë pasur të akuzuarit”

Blendina Veliqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Gazetën Enigma se dëshmia e dy ish-zyrtarëve amerikanë është mjaft e rëndësishme, pasi që të njëjtit kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet politike e diplomatike gjatë luftës në Kosovë.

“Dëshmitë e tyre mund ta ndihmojnë gjykatën të kuptojë më mirë rrethanat e kohës dhe rolin që kanë pasur të akuzuarit. Për më tepër vetë fakti se personalitete kaq të larta diplomatike nga SHBA marrin pjesë në këtë proces gjyqësor e dëshmon përkrahjen e SHBA-ve për t’u zbardhur e vërteta në këtë gjykim”, tha Veliqi për “Enigmën”.

“U shpalosën histori të bazuara në fakte”

Veliqi, e cila përcjell në përpikmëri procesin e të akuzuarve në Hagë, shprehet e bindur se dy dëshmitarët vulosën faktin se lufta e UÇK-së ishte luftë e popullit të Kosovës dhe se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues të rregullt.

“Dy dëshmitarët e mbrojtjes shpalosën histori të bazuara në fakte dhe dëshmi të pamohueshme lidhur me atë se lufta çlirimtare ishte luftë e popullit të Kosovës dhe se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues të rregullt. Ndërsa pjesa e vlerësimit të besueshmërisë së dëshmitarëve të thirrur nga cilado palë i mbetet në fund trupit gjykues për të vendosur”, deklaroi Veliqi nga IKD.

“Dëshmitë do ta lakojnë orientimin e aktakuzës”

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Anton Nrecaj, po ashtu është optimist se këto dy dëshmi dhe të tjerat që do të pasojnë, do të ndikojnë në perceptimin e Gjykatës Speciale se UÇK-ja “ka kryer krime kundër civilëve të pafajshëm”.

“Sigurisht se dëshmitë e Rubin dhe Williams do të ndikojnë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Vetë fakti që në dëshmitë e tyre argumentohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer vepra penale, krime lufte apo krime kundër njerëzimit, nënkupton që lakojnë orientimin e aktakuzës, ku thuhet se ‘UÇK-ja ka kryer krime lufte ndaj civilëve’. Kjo pra ndikon në trajtimin e dëshmive dhe provave të ofruara”, tha Nrecaj në një prononcim për Gazetën Enigma.

“Balancim mes dëshmitarëve të Prokurorisë dhe atyre të Mbrojtjes”

Nrecaj thotë se dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë: Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit – do të ndihmojnë që të arrihet një balancim me dëshmitë nga “viktimat” e thirrura nga Prokuroria Speciale, për të cilët, Nrecaj thotë se janë “dëshmitarë të rremë”.

“Dëshmitë e këtyre dy dëshmitarëve natyrisht se i ndihmojnë Thaçit dhe të tjerëve, që të arrihet një balancim në proces. Sepse deri tani kemi pasur dëshmi nga ana e Prokurorisë që kanë qenë me të vërtetë tronditëse. Dëshmitarë që kanë dëshmuar rrejshëm, pasi ata që kanë dëshmuar si viktima, kanë qenë në fakt njerëz të strukturave kriminale të Serbisë. Pjesëtarë të policisë dhe pjesëtarë të institucioneve paralele në periudhën e luftës”, shprehet Nrecaj.

Mandati i Gjykatës është që të gjykohen civilët, njerëz të cilët mund të kenë qenë potencialisht pjesëtarë të UÇK-së apo çfarëdo lloj grupi të ketë qenë, për krimet që janë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Kështu është e përcaktuar edhe me ligj.

Megjithatë, Nrecaj thotë se e gjithë kahja ka qenë duke implikuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës t’i ketë bërë këto vepra.

“Edhe në aktakuzë, edhe nga dëshmitarët kanë thënë se UÇK-ja ka kryer krime ndaj tyre. E gjithë tendenca ka qenë që të gjeneralizohet UÇK-ja. Dëshmia e Rubin dhe Williams ka treguar të kundërtën, duke thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ndër organizatat që ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar, për të bërë paqe, për të bërë marrëveshje dhe ka qenë partnere me NATO-n”, përfundoi Nrecaj.

Dëshmitë e radhës

Të hënën pritet që të nisë dëshminë dëshmitari i tretë nga mbrojtja e Thaçit. Në media thuhet se do të jetë një britanik.

Pas përfundimit të dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Thaçit, do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve nga mbrojtja e Kadri Veselit, më pas nga mbrojtja e Jakup Krasniqit dhe nga mbrojtja e Rexhep Selimit.

Gjykata Speciale ka thënë se në dhjetor të këtij viti pritet përfundimi i procesit dhe shqiptimi i aktgjykimit përfundimtar. /GAZETA ENIGMA

Related Articles