Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka deklaruar se sjelljet e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, janë të ngjashme me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, raporton Gazeta Enigma.
Sipas tij Kurti po i bën disa veprime të ngjashme që Berisha i kishte bërë para trazirave të vitit 1997.
“A po e kopjon Albin Kurti Sali Berishën? Para se të arrinte katastrofa e vitit 1997, Berisha kishte adaptuar disa politika autoritariste, që po i skicoj këtu e të cilat i shohim të jenë prezente edhe në stilin e qeverisjes së Kurtit: 1. Partia për të ishte më e rëndësishme se sa qeveria. (Nësoj vlen edhe për Kurtin LVV më shumë se sa qeveria.) 2. Berisha bëri një kalkulim politik e financiar me emigrantët: rritja e numrit të emigrantëve kthehej në para për familjet në vend e rrjedhimisht në infuzion për administratën. (Gjatë qeverisjes Kurti gati 300.000 shqiptarë kanë shkuar në mërgim.) 3. Berisha imponoi një presion të fortë ndaj medieve që mbanin qëndrime kritike ndaj tij dhe qeverisë. (Të njëjtën gjë po bën Kurti.)”, ka shkruar ai.
Ai përmendi edhe raste të tjera.
“4. Kontrabanda me naftë me Serbinë lulëzoi për disa vite të qeverisë Berisha. (Si mafia energjetike me Kurtin në këto vite.) 5. Berisha hyri në konflikt me drejtësinë, sidomos pas shkarkimit të kryetarit të Gjykatës së lartë, Zef Brozit. (Kurti me prokurorinë special, me Gjykatën Supreme dhe me Gjykatën Kushtetuese.) 6. Në zgjedhjet e vitit 1996, PD fitoi 87% të vendeve në parlament, me gjasë me manipulime masive. (Kurti kërkoi 500.000 vota po ato nuk mund të mirren, nëse nuk vidhen.) 7. Si qershia mbi tortë Berisha filloi të ngacmonte gjendjen në Kosovë me destabilizim, për të fshehur disi krisjen e raporteve me SHBA-në, gjë që i solli Shqipërisë katastrofën. (Kurti ka ngacmuar stabilitetin e Kosovës, po edhe të M. Veriut.)”, theksoi ai.
Ai përmendi edhe Katastrofën e Shqipërisë (1997), e cila ” filloi me rrënimin e skemave piramidale, por u rrënua tërë shteti”.
“Me gjasë nxitja erdhi nga jashtë, nga ata që e donin Berishën të rrëzuar. Ribërja e shteti u mundësua vetëm falë ndërhyrjes ndërkombëtare. (Ka rrezik se në atë rrugë është edhe Kosova. Nëse Kurti nuk ndalon dhe nëse votuesit nuk shkëputen prej tij, siç nuk u shkëputën nga Berisha në vitin 1996, kriza bëhet e paevitueshme.)”, ka shkruar Krasniqi. / Gazeta Enigma.