Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka quajtur “bashkëluftëtar”, raporton Gazeta “Engma”.
Analisti Lirim Mehmetaj e pyeti komandant Remin nëse e kishte pasur bashkëluftëtar Albin Kurtin. Mustafa u përgjigj se kushdo që ka dhënë kontribut gjatë luftës është pjesë e saj dhe bashkëluftëtar, pavarësisht nëse ka qenë me armë apo pa armë.
Tutje ish komandant Remi u shpreh se Kurti ishte pjesë e zyrës së Adem Demaçit dhe se kishte bashkëpunim me të, por edhe me Kurtin, duke shtuar se nga shtabi i tij në male ai kishte marrë rrugë për në terrene të tjera ku kishte nevojë.
Mehmetaj, duke komentuar dhe lexuar pjesë të një vendimi të zyrës së Demaçit, tha se në bazë të atij vendimi zyra ishte mbyllur si shenjë mospajtimi me procesin e Rambujesë, pasi nuk do ta sillte pavarësinë e vendit. Sipas tij, pas mbylljes së zyrës, Kurti kishte shkuar në shtëpi dhe më pas ishte arrestuar nga forcat serbe si peng lufte.
Tutje Mehmetaj tha se, në bazë të ligjeve të luftës, i bie që Kurti ishte dezertor lufte. Por komandant “Remi” theksoi se UÇK-ja, as me shkrim e as me gojë, nuk ka lëshuar vendime të tilla, as për Kurtin e as për askënd tjetër.
“Unë e di për dezertor që në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ka vendime. Nuk ka asnjë vendim që ka pasur dezertor në luftën e UÇK-së, nuk njoh vendime as me shkrim e as pa shkrim dhe nuk dua të flas më shumë”, tha Mustafa në Debat Plus.
Ai shtoi se luftën e njeh edhe si pelegrinazh, ku kushdo që ka bërë diçka deri atëherë ka pasur vendin të vijë dhe, siç tha ai, “t’i lajë gjynahet”, duke qenë i mirëpritur kushdo qoftë.