Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se uji nga Liqeni i Badocit është ende i papijshëm.
Në njoftim thuhet se IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.
“Ripërsëritje e komunikatës së gjendjes aktuale me fenomenin “Mangan”. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, më 1 shtator 2025 ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
“Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut. Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu bëhet e ditur se uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.
“KSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit. IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët”, thuhet tutje në njoftim.