Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Sami Mhanna, ka folur në lidhje me arsyen pse shteti i Palestinës nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai u pyet se pavarësisht se shumë shqiptarë mbështesin çështjen palestineze, por nuk e kuptojnë pse Palestina nuk e ka njohur ende Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.
Ambasadori tha se kjo pyetje i është bërë shpesh në media dhe se është i vetëdijshëm për përkrahjen e shqiptarëve ndaj Palestinës. Ai theksoi se Palestina nuk ka asnjë problem me popullin e Kosovës dhe se marrëdhëniet me qytetarët kosovarë janë të mira.
“Që kur Kosova vendosi ambasadën e saj në Jerusalem, ne e konsiderojmë atë një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse Palestina nuk e njeh Kosovën”, deklaroi ambasadori.
Lidhur me qëndrimin e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare, ku shpesh është pozicionuar në mënyrë neutrale ndaj çështjes palestineze, ambasadori u shpreh i zhgënjyer.
“Kam folur me presidentin Bajram Begaj, i cili na mbështet. Do të doja që qeveria shqiptare të na mbështeste më shumë. Nuk e kuptoj pse Shqipëria abstenon në forumet ndërkombëtare dhe pse na e ka kthyer shpinën, kur lufta nuk është mes Izraelit dhe Hamasit, por mes Izraelit dhe popullit tonë”, u shpreh ai në Euronews Albania.
Ambasadori shtoi se do të dëshironte që shqiptarët të flisnin më shumë për çështjen palestineze dhe të tregonin më shumë solidaritet.
“Nuk besoj se Kryeministri Rama është pro gjenocidit dhe kjo është diçka e mençur prej tij”.