Aktakuzë ndaj dy personave, përkrahën publikisht ISIS-in përmes “Facebook” dhe “Tik-Tok”

Aktakuzë ndaj dy personave, përkrahën publikisht ISIS-in përmes “Facebook” dhe “Tik-Tok”

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar të premten se ka ngritur aktakuzë kundër D.B. dhe E.B. për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. 

Të pandehurit akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terroriste ISIS.

“Sipas aktakuzës, D.B. dhe E.B., përmes rrjetit social ‘Facebook’ dhe ‘Tik –Tok’ , kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime theksohet se potencialisht mund të prishet rendi publik.

“D.B., sipas provave ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”, thuhet në njofitm.

Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjeve në fuqi, dhe t’i vazhdohet masa e paraburgimit të akuzuarit D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak të akuzuarit E.B..

Related Articles