Kurti takohet me senatoren Shaheen: Radoiçiq ende i lirë në Serbi

Kurti takohet me senatoren Shaheen: Radoiçiq ende i lirë në Serbi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Washington D.C. me senatoren demokrate nga New Hampshire, Jeanne Shaheen.

Diskutimet u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet e fundit në Kosovë, progresin ekonomik, investimet në fushën e mbrojtjes, përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Sipas njoftimit, Kurti veçoi vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifave doganore për produktet me origjinë nga SHBA-ja dhe vazhdimin e programit MCC Compact për Kosovën nga administrata amerikane, duke i cilësuar këto si zhvillime të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe.

Ai gjithashtu nënvizoi mundësitë që Kosova ofron për kompanitë dhe investitorët amerikanë.

Senatorja Shaheen, e cila kishte vizituar Kosovën pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, rikujtoi thirrjet e saj për arrestimin e Millan Radoiçiqit.

Kryeministri Kurti theksoi se, pavarësisht pranimit të fajësisë, Radoiçiq edhe dy vjet pas sulmit vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.

Related Articles