Gjykata Kushtetuese ka publikuar të martën njoftimin në lidhje me vendimin ndaj kërkesës së parashtruar nga Lista Serbe, duke e vlerësuar kërkesën e kësaj partie si të pranueshme dhe duke e konsideruar Kuvendin si të pakonstituuar.
Vendim ky që paraqet se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, pra Kuvendi nuk është konstituuar.
Një vendim i tillë ka ngjallur reagime të shumta, shkruan Gazeta Enigma.
OSBE në Kosovë ka riafirmuar mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se vendimet e saj duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, pa ndikuar apo ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në punën e saj.
OSBE theksoi se pavarësia e institucioneve gjyqësore është gurthemel i shoqërisë demokratike. Tutje, OSBE potencoi se përfaqësuesit politik dhe institucionet kanë përgjegjësi për të respektuar autoritetin e Gjykatës, duke forcuar besimin e publikut në kornizën kushtetuese të Kosovës dhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kritikoi interpretimet nga disa se ky vendim i jep deputetëve të komunitetit serb “veto absolute” në Kuvend, teksa e quajti këtë interpretim të pasaktë.
“E drejta e vetos ka qenë një marrëzi që është krijuar këtu, në retorikën e pushtetit të deridjeshëm,” tha Hasani. Ai shtoi se Kushtetuesja ka thënë qartë se seanca konstituive nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, por kjo nuk nënkupton asnjë veto të veçantë.
Edhe Eugen Cakolli nga IDK deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i dha komuniteteve ndonjë veto shtesë, por vetëm rikonfirmoi standardin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Ai shtoi se Gjykata ua rikujtoi të gjitha palëve, përfshirë deputetët e komunitetit serb, përgjegjësinë për të vepruar në interes të Republikës.
Nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Arben Gashi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se Kuvendi nuk është i konstituar: “Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit. Mesazhi është i qartë: Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin. Nëse kjo nuk ndodh, sipas Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve. Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit,” u shpreh Gashi.
Nga radhët e LVV-së, deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se ka pritur që Gjykata Kushtetuese të ketë një aktgjykim të plotë për shkak se ka elemente të paqartësisë lidhur me procedurën e zgjedhjes së nënkryetarit.
Ajo shtoi se partitë opozitare duhet të ishin më insistuese në konstituimin e Kuvendit, dhe se partia e saj nuk do të votojë asnjë kandidat të Listës Serbe për nënkryetar.
“Unë kam pritur të paktën që Gjykata Kushtetuese ta ketë aktgjykimin e plotë të publikuar për shkak se ka shumë elemente të paqartësisë në raport me procedurën e zgjedhjes së nënkryetarit apo interpretimit të tyre, megjithatë doli vetëm njoftimi. Ne njëfarë mënyre kemi lënë shtetin peng… Ne jemi republikë parlamentare dhe kemi një parlament jofunksional gjatë gjithë vitit 2025,” u shpreh Kusari-Lila.
“Ne nuk mund t’ia imponojmë deputetëve të komunitetit në shumicë e jo serbe votimin në pako me nënkryetarin e komunitetit serb. Ekzistojnë dy skenarë që unë i shoh dhe mund të ndodhin që janë më të realizueshme. E para është nëse kthehet votimi vetëm për kandidatët e komunitetit serb, atëherë ne kemi deklaruar publikisht dhe është qëndrim i palëkundur i VV-së, që ne nuk votojmë për kandidatët e Listës Serbe, ne marrim pjesë, por vota jonë është votë kundër,” përfundoi ajo.
Çfarë pritet të ndodhë me Kuvendin?
Analisti politik Afrim Kasolli për Gazetën Enigma tha se “nuk do të ketë Kuvend para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.”
“Gjykata Kushtetuese foli. E bëri të qartë se Kuvendi nuk është i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Masa e përkohshme e pezullimit të Kuvendit mbetet në fuqi deri në publikimin e plotë të vendimit në gazetën zyrtare. Pas publikimit, Kuvendi ka në dispozicion 12 ditë për ta themeluar vetveten. Nuk do të ketë Kuvend para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit,” tha Kasolli.
Ai shtoi se zgjedhjet e reja mbeten i vetmi opsion.
“Personalisht gjykoj se zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbeten i vetmi opsion në tavolinë. Opozita e kaluar do të ketë kartën se rikthimi i Listës Serbe në komunat veriore ndodhi gjatë kohës sa Albin Kurti ishte kryeministër në detyrë”.
Njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani theksoi se konstituimi i Kuvendit varet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Sipas mendimit tim, Kuvendi varet nga aktorët politik LVV, nëse kanë dëshirë të konstituojnë Kuvendin, atëherë merren vesh duke zgjedhur një anëtar të kryesisë së Kuvendit nga komuniteti serb. Me zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb plotësohet një e drejtë kushtetuese”, tha Burjani për Enigmën.
Sipas tij “Do të ishte më mirë sikur të zgjidhej një përfaqësues serb dhe të mos bllokohet puna, por ky ngërç po i përshtatet LVV-së sepse kjo parti nuk i ka numrat për formimin e një Qeverie të re”./ Gazeta Enigma.