Agjencia e Statistikave të Kosovës ka thënë se në vitin 2024, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë 10.8%.
Në vitin 2014 shkalla e papunësisë ka qenë 35.3%, duke shënuar një ulje prej rreth 25% në vitin 2024.
Në Raportin Vjetari Statistikor për vitin 2025, në vitin 2014 fuqia punëtore ka qenë 500 mijë e 251 persona, kurse në vitin 2024 ka pësuar rënie, duke u evidentuar 464 mijë e 567 persona si fuqi punëtore.
Në ndërkohë, edhe popullsia ekonomikisht jo aktive ka shënuar ulje. “Popullsia ekonomikisht jo aktive” nënkupton personat që janë në moshë pune, por që as nuk janë të punësuar e as nuk janë aktivisht në kërkim të një pune dhe rrjedhimisht nuk konsiderohen pjesë e fuqisë punëtore.
Sipas ASK-së, në vitin 2014, popullsia ekonomikisht jo aktive ka qenë 702 mijë e 238 persona, kurse në vitin 2024 janë regjistruar 610 mijë e 137 persona të tillë.
Shkalla e punësimit në vitin 2014 ka qenë 26.9%, ndërsa në vitin 2024 kjo ka shënuar rritje, duke arritur në 38.6%. Shkalla e punësimit më e ulëta në 10 vitet e fundit ka qenë në vitin 2015, me 25.2%.
Në anën tjetër, paga mesatare neto në Kosovë në vitin 2014 ka qenë 365 euro, kurse në vitin 2024 ka arritur në 552 euro. Sipas ASK-së, në sektorin publik paga mesatare neto në vitin 2024 ka arritur në 668 euro, për dallim 423 euro sa ka qenë në vitin 2014.
Për çdo vit, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Raportin e njohur si “Vjetari Statistikor”, i cili ofron të dhëna themelore statistikore për Kosovën, si në fushën demografike, ekonomike, bujqësore.
Aty përfshihen statistika për popullsinë, ekonomitë familjare, lindjet, vdekjet, arsimin, kulturën, shëndetësinë, mirëqenien sociale apo energjinë.
Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.