Mosmarrëveshjet në kampin suedez para ndeshjeve vendimtare: Një mundësi e madhe për Kosovën?

Mosmarrëveshjet në kampin suedez para ndeshjeve vendimtare: Një mundësi e madhe për Kosovën?

Kombëtarja e Suedisë po përjeton një tronditje të madhe pas vendimit të portierit me përvojë, Robin Olsen, për t’u larguar nga ekipi kombëtar për sa kohë që Jon Dahl Thomasson është përzgjedhës.

Në një intervistë për Aftonbladet, 35-vjeçari deklaroi se nuk e sheh të mundur bashkëpunimin me trajnerin danez dhe nuk do të luajë më nën drejtimin e tij.


“Fola me Jon Dahl Thomasson një muaj më parë, kur më mbështeti pavarësisht gabimit kundër Sllovenisë dhe më tha se isha ende portieri numër një i Suedisë. Por dje më telefonoi dhe më tha se nuk do të luaja kundër Zvicrës, edhe pse donte të isha pjesë e skuadrës”.

“I thashë se nuk do të pranoja. Për sa kohë që ai është trajner, unë nuk do të jem në ekipin kombëtar. Thjesht nuk mund të punoj me të”, u shpreh Olsen.

Suedia nisi kualifikimet për Kupën e Botës 2026 me pritshmëri të larta, por rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Pas dy ndeshjeve jashtë fushe, suedezët kanë vetëm një pikë – një barazim 2-2 në Lubjanë kundër Sllovenisë dhe një humbje 2-0 në Prishtinë ndaj Kosovës.

Këto rezultate, së bashku me dorëheqjen e Olsenit, kanë shtuar presionin mbi Thomasson dhe kanë krijuar një atmosferë të tensionuar në kampin suedez.

Olsen, që mbron ngjyrat e Malmos, ka qenë pjesë e përfaqësueses suedeze për një dekadë, duke zhvilluar 79 ndeshje. Ai u kritikua së fundmi për gabimin në ndeshjen kundër Sllovenisë, kur u mposht nga një gjuajtje nga distanca e Sandi Lovriç. Me largimin e tij, pritet që rolin e portierit të parë ta marrë Viktor Johansson i Stoke City.

Kosova luan fillimisht në shtëpi ndaj Sllovenisë më 10 tetor, ndërsa tri ditë më pas do të jetë mysafire e Suedisë. Me 3 pikë pas fitores ndaj suedezëve, Kosova ka mundësi të mëdha për të avancuar tutje në grup.

Related Articles