Prokuroria nis shqyrtimin e materialit të përgjimit në rastin e Lladrovcit

Prokuroria nis shqyrtimin e materialit të përgjimit në rastin e Lladrovcit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimin e materialit të përgjimit në rastin e një audio-incizimi ku i përfshirë është kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Kështu kanë bërë të ditur burime të Klankosova.tv brenda prokurorisë.

Të njëjtat burime thanë se ende nuk ka nisur hetimet në lidhje me këtë çështje pasi janë duke i shqyrtuar materialet.

Në audio-incizimin e publikuar në media, dëgjohet kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke folur për një pronë milionëshe.

Në lidhje me këtë, Rinia Demokratike ka organizuar dje një aksion simbolik përpara komunës së Drenasit të cilës në hyrje i vunë shiritin “rrezik”.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, e quajti kundërkandidatin e tij, Ramiz Lladrovcin si “kampion i pazareve dhe abuzimeve me prona publike”.

“Ai që veten e quante ‘kampion’, vërtetë po del të jetë kampion i pazareve dhe i abuzimeve me prona publike. Po del kampion i korrupsionit dhe jo i qytetarëve”, i tha Hajdari, Lladrovcit.

Related Articles