Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bashkë me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar e presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit po presin liderët e rajonit në nisje të Samitit të Iniciativës së Brdo-Brionit, që po mbahet në Durrës.
Aty ka arritur edhe presidentja Vjosa Osmani e cila u prit nga Begaj.
Liderët që marrin pjesë përveç Osmanit, janë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Takimi pritet të përqendrohet në të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin, paketa 6 miliardë euroshe e miratuar në vitin 2023, nga e cila mjetet e para nuk i kanë pranuar vetëm Kosova dhe Bosnja.