Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas zgjedhjeve lokale, sot deklaroi se raportimet e djeshme për komunën e Mitrovicës së Jugut, lidhur me rezultatet në zgjedhje, duhet të hetohen, shkruan Gazeta Enigma.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Kurti ka ftuar organet e sigurisë dhe të drejtësisë të merren me këtë çështje.
“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për huqje, por një inxhiniering të paramenduar, për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exitpollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjeshtë huqje por ceni i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e sigurisë dhe drejtësisë të merren me këtë çështje”, ka deklaruar Kurti.
I pyetur për mundësitë e bashkëpunimit me partitë e tjera në balotazh, Kurti ka thënë se do të bëjnë analizë të hollësishme për rezultatin zgjedhor, e më pas të bëjnë plane.
“Do të bëjmë një analizë të hollësishme për rezultatin zgjedhor, Vetëm pas kësaj analize do t’i bëjmë planet dhe përgatitjet e duhura për rrugën përpara”, ka thënë ai.
Ai u shpreh se me votat nga diaspora presin që edhe Gjilani të fitohet pa balotazh.
“Me votat nga diaspora mund të dalë që e kemi fituar edhe Gjilanin pa balotazh. Jemi në balotazh në 12 nga 17 komuna sa kanë shkuar në balotazh. Rezultatet tregojnë qartë se Lëvizja jonë jo vetëm që ka ruajtur rritjen nga cikli në ciklin tjetër zgjedhor, por është ngritur si forca kryesore politike në republikën e Kosovës edhe në nivelin lokal. Kjo është dhurata më e çmueshme”, ka theksuar ai.