Më 11 tetor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e mandatoi fituesin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Albin Kurtin, për formimin e Qeverisë së re. E gjithë kjo pas disa muajve “rraskapitës” që u deshën për ta konstituuar Kuvendin. Meqenëse Kurti nuk e ka shumicën në Kuvend, tash është dilemë nëse i njëjti do t’i ketë numrat për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, shkruan Gazeta Enigma.
“Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë,” shkroi presidentja Vjosa Osmani pasi e mandatoi Kurtin.
LVV nuk do bashkëpunoj me dy parti
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha për Gazetën Enigma se sa i përket krijimi të Qeverisë së re, Vetëvendosja nuk do të bashkëpunojë me dy parti – PDK-në dhe Listën Serbe.
Ajo tha se kanë filluar bisedat për formimin e Qeverisë, ndonëse jo diçka specifike.
‘’Gjatë javës kemi me filluar bisedat për formimin e Qeverisë, ka pasur bisedime fillestare por jo diçka specifike. Sa i përket bashkëpunimit me subjektet tjera politike, kemi qëndrimin se nuk bashkëpunojmë me dy parti në këtë rast, bëhet fjalë për PDK-në dhe Listën Serbe, ndërsa me të tjerët mbetet të shohim se a ka vullnet për bashkëpunim apo jo. Sa i përket ftesave, për LDK-në dhe të tjerët duhet të flasë dhe të vendosë vetë Kurti dhe LVV-ja si mandatar për formimin e Qeverisë’’, tha Kusari-Lila.
“Zgjedhjet e reja – zgjidhja më e mirë”
Sipas Kusarit, zgjedhjet e reja, mbeten “zgjidhja më e mirë”.
‘’Unë mund të flasë në emër të Alternativës, unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime të cilat kërkojnë ri konfirmim të besimit të qytetarëve por natyrisht për zgjedhje gjithmonë jemi gati’’, u shpreh Kusari-Lila.
Por a do të mundë ta formojë Kurti Qeverinë?
I pyetur sot nga mediat lidhur me këtë çështje, Kurti tha se ende nuk ka filluar komunikimet me partitë e tjera, ndonëse veçse i kanë ikur tri ditë nga afati 15-ditësh.
Për këtë vonesë, kryeministri në detyrë ia atribuoi angazhimit në zgjedhjet komunale.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet t’i shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë,” tha Kurti.
Nisma e gatshme për koalicion, por Dimal Basha “pengesë”
Nisma Socialdemokrate, me Fatmir Limajn në krye, qysh prej certifikimit të rezultateve ka qenë e hapur për koalicion.
Megjithatë, dëshira e Limajt për pozitën e kryetarit të Kuvendit nuk u plotësua.
Lidhur me këtë, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka bërë thirrje që Lëvizja Vetëvendosje ta “ulë egon” dhe të mendojë më seriozisht për interesin e Kosovës.
“Duke luftuar për ego personale dhe mentalitetin e militantëve, jemi ku jemi – në këtë situatë. Partitë e mëdha duhet të mendojnë më seriozisht për vendin, sepse kanë besim dhe përgjegjësi më të madhe nga qytetarët,” tha Izmaku.
Ajo theksoi se skena politike në Kosovë është e përçarë dhe se vendi ka nevojë për lidership unifikues, duke vlerësuar se kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, është “figura e duhur për të udhëhequr Kuvendin e Kosovës”.
“Vendi ka nevojë për një figurë unike, siç është zoti Limaj, që do ta udhëhiqte institucionin më të rëndësishëm ligjvënës dhe do të sillte unifikim në një skenë politike të përçarë,” tha ajo.
Izmaku sqaroi se aktualisht Nisma nuk ka zhvilluar asnjë diskutim për koalicion me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë Kurti, por theksoi se partia e saj është e hapur për të kontribuar në krijimin e institucioneve, nëse nis një proces i ri politik.
Koalicioni LVV–LDK: ëndërr apo realitet?
Muaj më parë, Albin Kurti i ishte drejtuar me letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke i bërë kërkesë për koalicion. Megjithatë, Abdixhiku e hodhi poshtë kërkesën.
Por kjo ide e koalicionit duket se ende po shihet si diçka e mundur.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, thotë se ai do të dëshironte një koalicion VV–LDK për formimin e Qeverisë së Kosovës.
“Unë do të isha i gëzuar që të kemi në Qeveri një mazhorancë stabile për shkak të sfidave që kemi, për shkak të marrëdhënieve ndërkombëtare. Prandaj, unë do të isha i gëzuar që LVV të bëjë koalicion me LDK-në,” tha ai.
“Do të kishim pasur një numër më të madh të deputetëve. Në ndonjë formë ose në ndonjë moment, do ta inkurajoja Kurtin që, nëse është e mundur, një koalicion të lindë, sepse, siç kemi konfirmuar edhe më herët, ata kanë treguar një seriozitet institucional dhe unë e vlerësoj një gjë të tillë,” tha Rashiq.
“Qeveria Kurti 3 duhet të votohet, me ose pa marrëveshje”
Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se është në interes të vetë partive politike dhe qytetarëve të Kosovës që të votohet Qeveria Kurti 3, qoftë me apo pa marrëveshje.
Për këtë, ai rendit disa arsye.
“E para, është në interesin e vetë deputetëve – sa më shumë, aq më mirë – ta votojnë Qeverinë, pasi ka shumë punë të pambyllura: kemi shumë marrëveshje, institucione, borde të paemëruara, ushtrues detyre e kështu me radhë.
Faktori i dytë pse do të duhej të kishte Qeveri është interesi i vetë partive ish-opozitare, pasi ato vetë nuk do të mund ta bëjnë, dhe do të ishte mirë, në interes politik, që ta vënë në provë një Qeveri të pakicës, siç po pretendon Kurti se mund të qeverisë me një Qeveri të tillë,” shtoi ai.
Kurse faktori i tretë, sipas tij, “është se për asnjë subjekt politik, për asnjë deputet dhe për popullin në përgjithësi, shkuarja në zgjedhje nuk është në favor, as nuk sjell dobi, por është dëm dhe mund të sjellë befasi të papritura, të padëshiruara dhe në një mënyrë ose tjetër hakmarrëse apo negative për subjektet politike, pasi cilado prej tyre mund ta ketë pastaj një rezultat më të dobët”.
Profesori universitar Baraliu thotë se, megjithatë, mund të ketë ndonjë marrëveshje eventuale këtë fundjavë, me kompromise me ndonjë nga subjektet politike, apo me ndonjë deputet veçmas.
Çka ndodh nëse Kurti nuk mund ta formojë Qeverinë?
Nëse Albin Kurti nuk mund t’i mbledhë numrat për formimin e Qeverisë brenda 15 ditësh, kjo përgjegjësi i kalon partisë së dytë të renditur në zgjedhje – PDK-së, me kandidatin Bedri Hamza.
Nëse as Hamza nuk mund ta formojë Qeverinë brenda 15 ditësh, vendi është i detyruar të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh./Gazeta Enigma/