Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, kërcënoi të mërkurën me rifillim të luftimeve, nëse Hamasi nuk i respekton kushtet e armëpushimit të mbështetur nga ShBA-ja dhe me të cilin u ndalën përleshjet e armatosura në Gaza.
Deklarata nga zyra e Katzit erdhi pasi Hamasi i dorëzoi mbetjet edhe të dy pengjeve të tjera të vdekura dhe tha se nuk do të ishte në gjendje që të tërhiqte trupa të tjerë nga rrënojat pa pajisje të specializuara, raporton “France24”.
Nga e hëna, sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, grupi palestinez i ka liruar 20 pengjet e gjalla në këmbim të lirimit të rreth 2.000 të burgosurve nga burgjet izraelite. Megjithatë, shumica e trupave të pengjeve të vdekura nuk janë dorëzuar ende.
“Nëse Hamasi refuzon që ta respektojë marrëveshjen, në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara, ne do t’i rinisim luftimet dhe do të veprojmë për të arritur një mposhtje të plotë të Hamasit, për ta ndryshuar realitetin në Gaza dhe për t’i arritur të gjitha objektivat e luftës” – thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Katzit.
Krahu i armatosur i Hamasit tha se dy trupat e kthyer rishtazi do të jenë të fundit tani për tani, duke mos arritur që ta plotësojë kërkesën e paktit të armëpushimit për dorëzimin e të gjitha pengjeve të vdekura.
“Rezistenca e ka përmbushur zotimin e vet ndaj marrëveshjes duke i dorëzuar të gjithë të burgosurit e gjallë izraelitë që ishin në ndalim, si dhe kufomat që ka mundur t’i arrijë” – thuhet në një deklaratë të Brigadave Ezzedine Al-Qassam.
Pas kërcënimit të Izraelit për rinisjen e luftimeve, disa këshilltarë të lartë amerikanë thanë se Hamasi ende synon që ta përmbushë zotimin për dorëzimin e të gjitha pengjeve të vdekura.