Askush s’i ka numrat – Opozita s’guxon ta sfidojë veten, zgjedhjet në horizont

Askush s’i ka numrat – Opozita s’guxon ta sfidojë veten, zgjedhjet në horizont

Qeveria “Kurti III” nuk u bë. Kjo pasi vetëm 56 deputetë ishin pro një kabineti të udhëhequr nga Albin Kurti. 48 nga vetë partia e tij dhe tetë nga komunitetet jo shumicë. “Topi” tash kalon tek partitë e opozitës, teksa janë deklaruar se nuk do tentojnë ta formojnë ekzekutivin e ri, shkruan Gazeta Enigma.

Pasi Kurti e mori vesh të dielën që s’i ka numrat, sytë e popullit u kthyen tek subjekti që doli i dyti në zgjedhjet e shkurtit, PDK-së së Memli Krasniqit me Bedri Hamzën, kandidat. Kjo pasi kur mandatari i parë nuk arrin të formojë Qeverinë, përgjegjësia i kalon fituesit të dytë të zgjedhjeve.

Presidentja Vjosa Osmani e ka për detyrë që brenda 10 ditësh të mandatojë Hamzën për kryeministër, nëse ky fundit e ka vullnetin.

Por, duket se një gjë e tillë nuk do të bëhet.

Menjëherë pas dështimit të Kurtit, Krasniqi i PDK-së foli para mediave, ku tha se PDK-ja nuk e ka synim krijimin e Qeverisë, pasi nuk i ka numrat.

“Unë që nga 9 shkurti kam bërë thirrje për një Qeveri me partitëish opozitare. Megjithatë, një gjë e tillë është e pamundur, pasi vetë Abdixhiku ka refuzuar. Prandaj zgjidhja më e mirë janëzgjedhjet e reja”, tha Krasniqi.

Çka nëse partitë ish opozitare do bashkoheshin?

PDK-ja, e dyta në zgjedhje, ka 24 deputetët. Pasohet nga LDK-ja me 20 deputetë. Koalicioni  AAK-Nisma ka nxjerrë tetë deputetë, ndërsa 10 janë nga komunitetet joshumicë joserbe, si dhe një nga komuniteti serb, i cili shihet si më i pranueshëm nga paritë shqiptare dhe populli në përgjithësi. Bëhet fjalë për Nenad Rashiqin.

Duke i mbledhur gjithë këta, do bëheshin gjithsej 63 vota.

Por, “kokëfortësia” e LDK-së e vështirëson punën.

Ndonëse, Abdixhiku sot pati një takim me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn, e për çka folën nuk dihet.

Zgjedhja e Presidentit të ri në fillim të vitit të ardhshëm, hynë gjithashtu në përllogaritjet e partive.

Një dështim i mundshëm do i dërgonte partitë sërish para gjykimit të popullit.

“Një Qeveri pa VV-në mund të ketë kosto të lartë për partitë ish opozitare”

Analisti politik, Ylli Hoxha, thotë për Gazetën Enigma se partitë d tjera do rrezikonin shumë nëse do krijonin një koalicion qeverisës pa VV-në, pasi kjo e fundit është fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve.

“Ështe politikisht e rrezikshme të krijosh shumicë përkundër fituesit të zgjedhjeve, LVV, e cila është fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve dhe si e tillë, pritjet janë që ajo të jetë pjesë e paevitueshme e Qeverisë.

Hoxha thotë se pasojat e një veprimi të tillë janë ende të freskëta, kur LDK formoi koalicion qeverisës me Avdullah Hotin, duke anashkaluar fituesin e atëhershëm, VV-në.

“Pra, reperkusionet e Qeverisë Hoti, e cila ishte krijuar duke mohuar këtë fakt, tregojne se një vendim i tillë mund të jetë me kosto të lartë për forcat opozitare”, thotë analisti.

Tutje Hoxha thotë se një Qeveri e ish opozitës do ishte e brishtë dhe tejet heterogjene, “por mbi të gjitha nuk i ka numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit, vendim ky që pritet tëmerret në distancë kohore më të ngushtë se 6 muaj”.

“E treta, reperkusionet eventuale nga një koalicion i tillë bien më shumë tek LDK sesa pjesa tjetër e opozitës, prandaj edhe është vështirë të arrihet pajtimi mes forcave opozitare për njëbashkëpunim të tillë”, përfundon Hoxha.

“Dobësi e partive opozitare që s’provojnë ta bëjnë qeverinë”

Analisti Imer Mushkolaj, e quan “dobësi”, mos tentimin e partive opozitare, veçmas LDK-së, për formimin ekzekutivit.

“Albin Kurti nuk mundi ta bëjë qeverinë, ndërkaq opozita as që po provon. Kjo është një dobësi e partive opozitare, në radhë të parë e LDK’së dhe kundërshtimit të saj”, tha ai.

“Kurtin nuk mund ta largojnë duke pritur ‘të ndodh mrekullia’, deklaroi Mushkolaj.

“I dinë pasojat që do vijnë pas disa muajve”

Se partitë ish opozitare nuk e kanë guximin ta formojnë një qeveri të pakicës, e thotë edhe analisti tjetër politik, Dritëro Arifi.

“E shoh të vështirë një Qeveri pa Vetëvendosjen, sepse as partitë ish-opozitare nuk do ta merrnin bajrakun apo guximin ta krijojnë një Qeveri të pakicës, sepse i dinë pasojat që mund të vijnë pas disa muajve”, thotë ai në një prononcim për “Enigmën”.

Arifi thotë se në klimën politike është krijuar mosbesim dhe mosbashkëpunim mes partive shqiptare.

Sipas tij, të gjitha partitë duan zgjedhje të reja, “për shkak se të gjitha partitë po e kërkojnë një ripozicionim”.

“Jam i bindur se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, partitë do të bashkëpunojnë. Nuk do të ketë vija të kuqe nga asnjëra parti. Secila pretendon një ripozicionim më të mirë, pas zgjedhjeve nacionale”, u shpreh profesori universitar.

Kur mund të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare?

Nëse PDK refuzon marrjen e përgjegjësisë për krijimin e Qeverisë, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin.

Kështu të paktën thotë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas Cakollit, barra më e madhe po i mbetet presidentes Vjosa Osmani, për të cilën thotë se është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë politike, për të parë se cilat kanë shumicën për të formuar qeverinë e re.

Pas 10 ditësh nga këto konsultime, Osmani duhet të vendosë kujt t’ia japë mandatin.

“Ky mandat mund t’i jepet sërish partisë fituese (nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë) ose cilësdo parti tjetër (nëse ajo paraqet prova konkrete për mbështetje në Kuvend). Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ndalesë mbi kandidatin individual në tentimin e dytë, pasi termi ‘kandidat tjetër’ nënkupton vetëm raundin e dytë procedural, jo ndalimin që i njëjti kandidat të mandatohet përsëri,” tha Cakolli.

I njëjti theksoi se nëse të gjitha partitë refuzojnë dhe dështojnë të bëjnë qeverinë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme: “Pas konstatimit potencial të mungesës së shumicës së nevojshme për formimin e qeverisë së re, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet”.

Sqarimi dhe propozimi i plotë i Cakollit se si duhet vendi të dalë nga kriza politike disamujore:

Presidentja është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë dhe koalicionet parlamentare, për të vlerësuar cila prej tyre ka gjasat më të mëdha për të formuar shumicën në Kuvend. Kushtetuesja ka theksuar se ky nuk është një veprim formal, por një proces me përmbajtje reale, që duhet të reflektojë mundësinë faktike për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votave.

Pas përfundimit të konsultimeve brenda afatit 10-ditor, Presidentja duhet të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e Qeverisë. Kjo është periudha më e ndjeshme politike dhe juridike e procesit.

Gjykata ka sqaruar se Presidenti i vendit nuk ka diskrecion të pakufizuar, por duhet të bazohet në kriterin e “gjasës më të madhe për të formuar Qeverinë”, pavarësisht nëse ajo parti është apo jo fituese (relative) e zgjedhjeve.

Ky mandat mund t’i jepet SËRISH partisë fituese (nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë) ose CILËSDO parti tjetër (nëse ajo paraqet prova konkrete për mbështetje në Kuvend). Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ndalesë mbi kandidatin individual në tentimin e dytë, pasi termi “kandidat tjetër” nënkupton vetëm raundin e dytë procedural, jo ndalimin që i njëjti kandidat të mandatohet përsëri.

3. Por, çfarë ndodh nëse asnjë parti nuk pranon të marrë mandatin – siç duket të jetë rasti aktual? Gjykata Kushtetuese ka qenë eksplicite në këtë pikë, duke mos e përjashtuar mundësinë që partitë ta refuzojnë marrjen e mandatit.

Nëse ndodh kjo – pra, asnjë subjekt nuk shpreh gatishmëri për të marrë mandatin e dytë, procesi praktikisht e humb qëllimin e tij politik dhe Presidentja nuk mund të vonojë pafundësisht vendimmarrjen.

Në një situatë të tillë, Presidentja, pasi të konstatojë mungesën e vullnetit për formim të Qeverisë, ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja.

Kushtetuta ofron rrugë të qartë për dalje nga bllokadat. Por, siç e ka theksuar vetë Gjykata Kushtetuese, mekanizmat kushtetues funksionojnë vetëm kur ekziston vullnet politik. Në mungesë të tij, zgjedhjet e reja janë zbatim i rendit kushtetues për rikthim të legjitimitetit politik dhe institucional.

Kur mund t’i kemi zgjedhjet e reja?

Nisur nga deklarimet e shumicës së partive parlamentare se zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme, si dhe duke u bazuar në afatet kushtetuese dhe ligjore – pas konstatimit potencial të mungesës së shumicës së nevojshme për formimin e Qeverisë së re, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet. /GAZETA ENIGMA

Related Articles