Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur flet për Serbinë”.
Picula tha për televizionin N1 se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.
“Për një kohë të gjatë, qëndrimi i Bashkimit Evropian – në fakt, para së gjithash i Komisionit Evropian – ndaj Beogradit të Vuçiqit ka qenë padrejtësisht i butë. Brukseli për vite me radhë ka injoruar shenjat gjithnjë e më të qarta të forcimit të autokracisë në Serbi dhe dukuritë që lidhen me të, si korrupsioni, dobësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës dhe braktisja e vlerave themelore mbi të cilat mbështetet rendi evropian”, tha Picula.
Ai shtoi se Vuçiq për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.
“Unë pres që nesër, të martën, gjatë publikimit të raportit të përbashkët të Komisionit Evropian për gjendjen në vendet kandidate, këtë herë ai të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur të flasë për Serbinë, gjë që nuk ka ndodhur vitet e kaluara”, tha Picula.
Komisioni Evropian në raportin e tij për përparimin e Serbisë ka theksuar se vendi vazhdon të mbetet prapa sa i përket përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, pasi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Po ashtu, është vënë në pah polarizimi gjithnjë e më i madh në Serbi, si pasojë e valës së protestave masive që po zgjasin që një vit.
Parlamenti Evropian në tetor miratoi një rezolutë mbi polarizimin dhe represionin në Serbi, me të cilën mbështetet e drejta e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësore dhe dënohet ashpër vala e dhunës nën patronazhin e shtetit, aktet e frikësimit dhe arrestimet arbitrare.
Në rezolutën “Për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, vlerësohet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, tha për televizionin N1 se “reagimi po bëhet gjithnjë e më shumë përmes represionit, dhunës ndaj të gjithëve që shprehin mendimin e tyre në rrugë, por jo vetëm në rrugë.”
“Mua më duket se kjo është një nga fazat e këtij revolte qytetare, dhe çdo vonesë në gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë krizë – për këtë gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur në Serbi – mund ta çojë gjithë vendin në rrezik më të madh nga ndonjë përplasje serioze, që thjesht mund të përfundojë me ndonjë tragjedi”, tha Picula.
“Para disa muajsh kam thënë se më shumë se gjithçka i frikësohem viktimës së 17-të, pra, përveç 16 personave që humbën jetën nga shembja e strehës prej betoni, nëse ndodh ndonjë rast tragjik edhe gjatë vetë protestave, atëherë situata do të bëhet vërtet jashtëzakonisht serioze”, shtoi ai.
Në lidhje me kërkesat e studentëve që po mbajnë bllokadën, që pushteti të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Picula tha se nuk ka arsye të besohet se zgjedhjet e mbajtura në këto rrethana do të ishin të lira dhe të ndershme, pasi autoritetet në Serbi nuk kanë përmbushur “thuajse asnjë” nga 25 rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Sepse në Serbi, në këtë moment, ekziston ende një dominim i plotë i partisë në pushtet, përkatësisht i një njeriu, të cilit me siguri nuk i intereson të përmbushë atë që pritet prej tij, para së gjithash nga qytetarët e Serbisë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit Serbia deklarohet se dëshiron të jetë”, u shpreh Picula.
Një ditë më parë, Vuçiq deklaroi se zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen para afatit, por nuk specifikoi se kur.
