Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar derisa po zhvillohet mbledhja e këshilllit të VV-së për të caktuar mandatarin e dytë për kryeminstër.
Abdixhiku ka thënë se kjo është shfaqje teatrale.
Postimi:
Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh.
Trajtojeni si të tillë.
Bëhuni të vërtetë!
Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thejshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë.
Pse gjithë ky zell për lojëra pa dinjitet minimal politik? A nuk ju duken mjaft 8 muaj vonesë në shtetin më të varfër në kontinent për t’i dhënë vonesa shtesë. A është qëndrimi me çdo kusht në pushtet edhe pa legjitimitet vlerë e re politike e një gjenerate që duhet të sjellë shpresë?
Këto zvarritje janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike.
Dua të besoj se Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare. Ky vullnet i është deponuar Presidentes javën që shkoj, haptazi dhe qartë. Dua të besoj, se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend, nuk ka shumicë parlamentare dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik.
