Sindikata e RTK-së sot proteston për pagat

Sindikata e RTK-së sot proteston për pagat

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) do të mbajë të enjten, sot, në ora 11:00, protestë para hyrjes së Kanalit të Parë të RTK-së.

Kjo sindikatë ka ftuar të gjithë punëtorët, pa dallim, të marrin pjesë “dhe të tregojnë solidaritet për situatën e rëndë në të cilën ndodhemi”.

“Qëllimi i protestës është i qartë: kërkojmë që institucionet e vendit urgjentisht të gjejnë zgjidhje për buxhetin, sepse rreth 700 punëtorë të RTK-së janë pa paga”, u tha në njoftimin e SPERTK.

Gjithashtu edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dalë në përkrahje të plotë me gazetarët, redaktorët, kameramanët, montazhierët dhe gjithë stafin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), para protestës të së enjtes.

AGK-ja përmes një njoftimi shpreh solidaritet me punonjësit e RTK-së, “të cilët sërish, brenda pak muajsh, po kërkojnë pagat që u takojnë sipas kontratave të tyre, për punën e kryer”.

Sindikata kishte reaguar edhe më 30 tetor ku pati paralajmëruar se do të masa të menjëhershme, me qëndrime publike, veprime sindikale dhe hapa ligjorë, nëse nuk do t’u ekzekutohen pagat brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor.

Në reagimin e lëshuar thuhej se kërkesa është drejtuar ndaj menaxhmentit dhe bordit të RTK-së dhe se masat që i paralajmëruan do të bëhen për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe funksionimin e institucionit publik të informimit, RTK-së. 

Related Articles