Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me datë 7 nëntor 2025 në Rahovec, një qytetar ka dorëzuar në polici një shumë parash të gjetura gjatë lëvizjes së tij në qytet.
Qytetari Skender Krasniqi nga fshati Ratkoc, derisa po kalonte në rrugën “Mulla Cufa” në Rahovec, ka gjetur para të gatshme në vlerë prej 1,800 euro (nëntë kartëmonedha nga 200 euro secila) dhe i ka dorëzuar menjëherë në Stacionin Policor të Rahovecit.
Pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet policore, është identifikuar pronari i shumës së humbur dhe i janë kthyer paratë.
“Ky gjest tregon besimin e qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës dhe përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e të ndershme, andaj shprehim mirënjohje për veprimin e z. Krasniqi, duke e vlerësuar si shembull të përgjegjësisë qytetare”, thuhet në komunikatën e Policisë.
