Policia në rajonin e Prishtinës në lokacione të ndryshme dhe në kuadër të aksioneve të ndara, ata kanë ekzekutuar gjithsej 160 urdhëresa të gjykatës, shkruan Gazeta Enigima.
Prej tyre 61 për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë qenë të ndërlidhura me kundërvajtje, seanca dhe verifikime të ndryshme.
“Vazhdojnë aktivitetet e zyrtarëve policorë të rajonit të Prishtinës. Në përputhje me urdhëresat përkatëse, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë publike.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka sekuestruar 11 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
“Po ashtu, janë shqiptuar 4,031 masa administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të Kodit Rrugor, prej të cilave 415 janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe veturat me radar mobil”, thuhet në njoftim.
Policia e rajonit të Prishtinës ka bërë të ditur se aktivitetet e këtij lloji do të vazhdojnë me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të paanshme dhe profesionale.
