Fatmir Shehollit i vazhdohet paraburgimi

Fatmir Shehollit i vazhdohet paraburgimi

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj tparaburgimin Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për spiunazh kundër shtetit.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate, tha se gjykatësi ia pranoi kërkesën prokurorëve që Sheholli të mbahet në paraburgim derisa autoritetet po kryejnë hetime ndaj tij.

Sheholli u arrestua në fillim të tetorit në Prishtinë dhe, deri tani, prokuroria nuk ka dhënë shumë hollësi rreth tij apo për atë se për kë dyshohet të ketë spiunuar ai.

Megjithatë, në ditën e arrestimit të tij, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, la të kuptohej se ai mund të ketë spiunuar për Serbinë.

“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar”, shkroi Sveçla në Facebook pas arrestimit të tij në tetor.

Sveçla kishte thënë se Sheholli gëzonte “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

Related Articles