Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën ka pranuar sqarim zyrtar lidhur me “gabimin e evidentuar” në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë dhe Gjakovë.
Sipas KQZ-së, në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.
“Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”, thuhet në njoftim.
Tutje është bërë e ditur se CETIS-i ka theksuar se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim “teknik”, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre.
“Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet më tej në kumtesë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.
