Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Mitrovicë të Jugut nuk është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve, pas vendimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të ndërprerë procesin.
KQZ-ja njofton se deri në orën 13:00 të së martës, është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 15 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë dhe Viti.
Procesi i verifikimit po vazhdon në 2 komuna të tjera, bën të ditur KQZ-ja.
Po ashtu bëhet e ditur se të martën, në orën 14:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Vendvotimet që do të rinumërohen i takojnë zgjedhjeve për Kuvendin Komunal në Gllogoc.
