Policia: Vdes një 58-vjeçar nga aksidenti në Dobërdolan të Suharekës

Policia: Vdes një 58-vjeçar nga aksidenti në Dobërdolan të Suharekës

Një aksident me fatalitet ka ndodhur mes një veture dhe kamioni sot në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, ku si pasojë ka vdekur një 58-vjeçar.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai ka bërë me dije se edhe pasagjerja ka marrë lëndime të rënda dhe se është dërguar për tretman mjekësor.

“Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka bërë me dije se po hetojnë rrethanat që kanë çuar deri te aksidenti.

“Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse, të cilat kanë siguruar perimetrin, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ndodhja e aksidentit. Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Bytyqi.

Related Articles