Përfaqësusesi i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, tha se sot ka njoftuar Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Bislimi tha se Serbia nuk po lejon që të ekzekutohet pagesa prej 304,511.16 euro, e destinuar nga Qeveria e Kosovës për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së.
“Është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore. Pra ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë”, shkroi Bislimi në një postim.
Zëvendës kryeministri i parë në detyrë tha se e njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht.
“Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ. Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, u shpreh më tej Bislimi.
