PDK në pritje të kryetarit të ri: Sinjale për përçarje apo reformin para zgjedhjeve?

PDK në pritje të kryetarit të ri: Sinjale për përçarje apo reformin para zgjedhjeve?

Të mërkurën, Memli Krasniqi u tërhoq nga pozita e të parit të PDK-së, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të brendshme në parti.

Pas këtij vendimi, të hënën me 17 nëntor ishte data kur u caktua data e Konventës së partisë, ku do të votohet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

“Zërat” brenda partisë duke filluar nga vetë Memli Krasniqi favorizuan emrin e Bedri Hamzës.

Por, anëtari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, është i mendimit që kjo Konventë duhet të shtyhet, pasi sipas tij, “një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër”.

“Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin”, tha Hoxhaj të premten.

Ai mes tjerash dha dhe sinjale për pakënaqësi brenda partisë. “Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët”.

A janë këto shenja të një ‘përçarje’ brenda PDK-së?

Njohësi i çështjeve politike, Artan Alijaj, deklaroi se debati që po zhvillohet brenda PDK-së duhet të konsiderohet si zhvillim pozitiv dhe mendimet e ndryshme nuk paraqesin përçarje.

“Debati brenda partisë politike duhet konsideruar si zhvillim politik dhe si shprehje e pjekurisë demokratike. Mendimet dhe qëndrimet e ndryshme nuk paraqesin domosdoshmërisht përçarje por diversitet të ideve. Zotri Krasniqi e ka ndërlidhur dorëheqjen e tij me nevojën për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të partisë dhe ka vlerësuar se zotri Bedri Hamza është personi më i përshtatshëm për të udhëhequr këtë proces, duke theksuar që kandidati për kryeministër në të njejtën kohë të jetë edhe lideri i partisë”, tha ai.

“Kurse, zotri Hoxhaj në deklaratën e tij ka kërkuar shtyrje të Konventës me qëllim që të ofrohet më shumë kohë për një garë të brendshme, kjo mund të lidhet edhe me ambicien e tij për rikthim në udhëheqjen e partisë dhe kjo është legjitime nga ana e tij”, tha Alijaj për Enigmën.

Sipas Alijajt, pasi vendi është afër zgjedhjeve qendrore, ndryshimet në udhëheqjen e partisë nuk janë ‘reforma të mirëfillta’.

“Në anën tjetër, duke marrë parasysh se vendi pritet së shpejti të shkojë në zgjedhje nacionale, ndryshimet në udhëheqjen e partisë nuk mund të konsiderohen si reforma të mirëfillta, pasi reformat kërkojnë kohë dhe procese të gjera konsultimi”.

“Ky zhvillimi në PDK-në duhet parë kryekëput si një përpjekje për unifikim të brendshëm dhe rritjen e votës në zgjedhjet e ardhshme, pasi që dihet tashmë publikisht që një numër i degëve, e po ashtu edhe anëtarëve të kryesisë së partisë kanë shprehur tash e një kohë pakënaqësi qoftë me reformat e filluara më parë, qoftë me udhëheqjen aktuale të partisë. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet procesi, mirëpo në këtë fazë nuk mund të flasim për reforma partiake në kuptimin e plotë të fjalës”, përfundoi Alijaj për Enigmën.

Ndërsa, këtë kërkesë të Hoxhajt nuk po e përkrahë sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku. Deputetja e PDK-së, deklaroi se thirrja e Konventës së Jashtëzakonshme është e bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, dhe e njëjta duhet të mbahet brenda pesë ditësh nga dita e dorëheqjes së kryetarit.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së Kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh”, potencoi Çitaku për Enigmën.

Tutje, Çitaku theksoi se e mirëpret garën e brendshme duke potencuar se çdo anëtar dhe anëtare që i plotësojnë kriteret janë të mirëseardhur të kandidojnë.

“Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt.

Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, u shpreh Çitaku.

Deri më tani, kandidaturën për kryetar të PDK-së e ka shpallur vetëm Bedri Hamza./Gazeta Enigma

Related Articles