Më 10 dhjetor do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar për rezervat shtetërore, ku në cilësinë e të akuzuarës është edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve R.H., I.L., H.G., dhe R.M. është caktuar të mbahet me datë 10.12.2025 në ora 09:30”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Më 11 nëntor, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dorëzoi aktakuzë ndaj Hajdarit nën dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Prokuroria tha se Hajdari, dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të tyre, sipas Prokurorisë Speciale.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, R.M., dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Hajdari e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.
“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm duke marrë parasysh periudhën ku ndodheshim ne më 2022”, tha Hajdari në një konferencë për media më 14 nëntor.
