Gjermania të mërkurën e raportoi numrin më të madh të rasteve ditore me Covid-19 në shtatë javët e fundit, duke nxitur debat brenda qeverisë rreth masave shtesë kundër pandemisë.
Instituti “Robert Koch” konfirmoi 2.768 raste të reja për 24 orët e fundit, duke shfaqur rritje të qartë të infektimeve. Situata besohet se është shkaktuar nga përhapja e variantit Delta, për të cilin shkencëtarët thonë se është më ngjitës.
Varianti Delta më herët këtë muaj është vërtetuar si variant mbizotërues në Gjermani dhe tash për tash përbën 84 për qind të rasteve të reja.
Numri i rasteve aktive me Covid-19 në Gjermani të mërkurën shkoi në 20.400, që është shifra më e lartë nga 24 qershori.
Nga frika për rritje të vazhdueshme të rasteve, ministri gjerman i Shëndetësisë, ka paraqitur një plan në kabinetin qeveritar, duke propozuar testim të detyrueshëm për koronavirus për të gjithë udhëtarët e pavaksinuar që hyjnë në territorin e Gjermanisë.
Sipas transmetuesit publik, “Bayerischer Rundfunk”, plani i këtij ministri është përkrahur nga kolegu i Ministrisë së Brendshme, Horst Seehofer, por ankesa ka pasur ministrja e Drejtësisë, Christine Lambrecht.