Ish polici, Arbnor Spahiu, i arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor të këtij viti, është liruar të enjten në mesditë nga burgu i Serbisë.
Spahiu pas lirimit, ka deklaruar se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe politik.
“Dje në mesditë jam liruar nga burgu i Serbisë, ku kam qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori i këtij viti për akuza të rënda, të cilat kanë qenë pjesë e një procesi plotësisht politik dhe të padrejtë. Dua t’ju njoftoj se jam mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për çdo mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë, tha ai.
Spahiu ka veçuar me mirënjohje edhe mbështetjen financiare nga bashkëqytetarët, të cilën e ka cilësuar si shumë të vlefshme në këtë periudhë.
Postimi i plotë:
Përshëndetje Kosova ime
Dje në mesditë jam liruar nga burgu i Serbisë, ku kam qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori i këtij viti për akuza të rënda, të cilat kanë qenë pjesë e një procesi plotësisht politik dhe të padrejtë. Dua t’ju njoftoj se jam mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për çdo mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Faleminderit nga zemra familjes sime, shoqërisë, bashkëfshatarëve, ish-kolegeve të mi të Policisë së Kosovës , institucioneve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë, për mbështetjen morale e emocionale, për vizitat dhe fjalët e mira që i dhanë forcë familjes sime.
Faleminderit gjithashtu për çdo ndihmë financiare nga të gjithë ata që kanë kontribuar, e cila ka qenë shumë e vlefshme dhe e çmuar gjatë këtyre muajve të vështirë.
Një falënderim i posaçëm për avokatin tim kryesor, Gvozden Grgur, i cili ka qenë profesional, i palodhshëm dhe i përkushtuar në luftimin për drejtësi dhe mbrojtjen time në çdo hap të këtij procesi. Falenderim edhe për përkthyesin, i cili ka qenë mbështetje e rëndësishme.
Gjithashtu, një falënderim i veçantë për çdo njeri dhe çdo media që ka kontribuar, mbështetur, folur apo ndihmuar në forma të ndryshme, mirënjohja ime për ju është e pafund.
Gëzimin që po shoh në sytë e njerëzve, dashurinë dhe lumturinë për lirimin tim, nuk mund ta përshkruaj me fjalë, është një ndjenjë e jashtëzakonshme.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
