Dogana e Kosovës ka ndaluar reth 300 kilogramë eksploziv sot në pikëkalimin kufitar në Vermicë.
Personi që po i posedonte ato kishte thënë para autoriteteve se nuk ka mallra për të deklaruar, e që më pas i janë gjetur rreth 300 kilogramë eksploziv në bagazhin e automjetit.
“Sot, rreth orës 16:30, në Pikëkalimin Kufitar Vermicë, zyrtarët doganorë kanë selektuar për kontroll një automjet të tipit furgon, i cili është dërguar në vijën e dytë për kontroll të detajuar, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Policinë Kufitare”, thuhet në njoftimin e Doganës në Facebook.
“Gjatë intervistimit, pala ka deklaruar se nuk posedon mallra për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit është hasur në mallra të padeklaruara, përkatësisht mallra të ndaluara dhe të rrezikshme (eksploziv), të vendosura në disa thasë dhe pako, me peshë të përafërt rreth 300 kilogramë, të cilat ishin të fshehura në bagazhin e automjetit dhe të kamufluara me pajisje peshkimi”.
“Malli është ndaluar, ndërsa ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK), ndërsa rasti i është dorëzuar Policisë Kufitare, e cila po vazhdon me veprimet e mëtejshme ligjore”.
