Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu pretendon se nga Thesari, së voni, janë vjedhur 200 mijë euro.
Në Kuvendin e Kosovës, ai e ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati, pse e ka mbajtur të fshehtë këtë vjedhje.
“Pse duhet me mbajt të fshehtë kur vjedhen 200 mijë euro. Nga Thesari i Shtetit i janë paguar një kompanie në mënyrë të kundërligjshme këto para”.
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar ministri Murati, edhe pse e ka pranuar se është bërë një pagesë e dyfishtë.
“Nuk është në Thesarin e Shtetit, as në Ministrinë e Financave, por në një organizatë tjetër buxhetore. Të gjitha mjetet janë kthyer deri në centin e fundit. Rasti është në prokurori, dhe prokuroria i merr masat”.
Ai ka deklaruar se rreth këtij rasti nuk mund të jep më shumë detaje pasi që prokuroria është duke i bërë hetimet, por ka marrë sërish reagimin e Haxhiut.
“Ju e konfirmuat se është bërë pagesë prej 200 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme. Po të mos e ngrisja unë këtë çështje ju nuk do të tregonit”, ka shtuar ai duke vazhduar debatin në lidhje me këtë temë.