Dita e tretë – Prishtina pa qarkullim të autobusëve

Dita e tretë – Prishtina pa qarkullim të autobusëve

Transportuesit privatë dhe publikë kanë hyrë në ditën e tretë të protestës, duke e lënë sërish kryeqytetin pa transport publik.

Protesta nisi të hënën para Qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa të martën u zhvendos në rrugët e Prishtinës, ku autobusët e “Trafikut Urban” u pozicionuan para objektit të Komunës.

Shkak për këtë situatë është bërë mospagesa e punëtorëve të Trafikut Urban, ndërkohë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, po ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

Rama, në një konferencë për media të martën, kërkoi nga Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, që të ndalojë “politikat bllokuese pas përfundimit të zgjedhjeve lokale” dhe të transferojë menjëherë fondet që i takojnë kryeqytetit.

Ai tha se kërkesa e tij për një takim urgjent me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është refuzuar.

“Kam kërkuar një takim urgjent me ministrin dhe kryeministrin në detyrë, por ata refuzuan të takohen. Edhe sot jam i gatshëm për një takim të menjëhershëm, qoftë në Kryeministri, në ministri, në komunë apo kudo që ata dëshirojnë, me qëllim që të zhbllokohet ky proces”, deklaroi Rama.

Të hënën, ai iu bashkua protestuesve para objektit të Qeverisë.

Ndërkohë, Murati ka deklaruar se kjo situatë është pasojë e vendimeve të Ramës, të cilat i quajti “elektorale”.

“Së pari kemi dy probleme në këtë situatë. Problemi i parë në transportin publik është se ky është një problem i vetë-shkaktuar dhe do të ndodhte edhe po të ishte miratuar buxheti i vitit 2025 për Komunën e Prishtinës, pasi janë marrë vendime elektorale për lirimin e shumicës së kategorive të qytetarëve nga pagesa”.

“Kjo ka bërë që shumica e qytetarëve të mos paguajnë bileta dhe barra financiare t’i mbetet Komunës së Prishtinës, në një kohë kur nuk ka pasur buxhet të miratuar”, tha Murati.

Për të adresuar situatën, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka thirrur të enjten një seancë të jashtëzakonshme për mjetet vetanake dhe buxhetin e vitit 2026.

Greva ka lënë kryeqytetin pa autobusë publikë, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për mijëra qytetarë që varen nga transporti urban.

Related Articles