Punëtorët e RTK-së tre muaj pa paga – Sindikata paralajmëron bojkot të plotë të punës

Punëtorët e RTK-së tre muaj pa paga – Sindikata paralajmëron bojkot të plotë të punës

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar se punëtorët e transmetuesit publik kanë hyrë në muajin e tretë pa paga, ndërsa institucionet shtetërore vazhdojnë t’i injorojnë kërkesat urgjente për zgjidhje.

Në komunikatën e saj, SPRTK thekson se gjendja sociale e punëtorëve dhe funksionimi i RTK-së janë “të rënduar në skaj”, duke e cilësuar situatën të papranueshme. Sindikata thekson se greva do të vazhdojë dhe u bën thirrje të gjithë punëtorëve për mbështetje të plotë në veprimet e tyre, siç thuhet, “drejta dhe ligjore”.

SPERTK paralajmëron se brenda kësaj jave do të dalë me qëndrim për bojkot të plotë të punës, duke qenë se janë “të shtyrë nga mosveprimi i Qeverisë së Kosovës”, e cila sipas sindikatës nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ofruar zgjidhje, pavarësisht dhjetëra kërkesave të adresuara.

“Si është e mundur të gjenden para për zgjedhje, e të mos gjenden për bukën e gojës së 700 familjeve? Kjo është e papranueshme”, thuhet në reagim.

Sindikata i bën thirrje qeverisë të zgjidhë urgjentisht problemin e alokimit të buxhetit, për të mos i detyruar punëtorët të ndërmarrin masa të padëshiruara. SPRTK kërkon gjithashtu që, pas konstituimit të legjislaturës së re, të miratohen pa vonesë ligji për financimin e pavarur të RTK-së dhe të zgjidhet çështja e pronës, duke theksuar se transmetuesi ka nevojë për një mekanizëm të qëndrueshëm të funksionimit si mediumi i vetëm publik në vend.

Në komunikatë, sindikata rikujton se, në vend që buxheti i RTK-së të rritet apo të mbështetet zhvillimi i transmetuesit, ka ndodhur e kundërta: jo vetëm nuk është ndarë rritja prej 0.7% nga buxheti nacional, por janë hequr edhe 2.2 milionë euro nga buxheti aktual, tashmë më i vogli në rajon për mediat publike.

SPERTK konfirmon se greva do të vazhdojë dhe paralajmëron se në fund të javës pritet të merret vendim për një bojkot total të ngjarjeve politike dhe mosmbulim të fushatës elektorale. Sindikata kërkon zyrtarisht nga menaxhmenti i RTK-së ndërprerjen e menjëhershme të mbulimit të aktiviteteve politike dhe të fushatës zgjedhore.

“Nëse nuk merret një vendim në kohë, ne do të dalim shumë shpejt me qëndrimin tonë”, përfundon njoftimi i SPERTK-së.

Related Articles