Derbi shqiptar – Drita dhe Shkëndija sot përballen në Ligën e Konferencës

Derbi shqiptar – Drita dhe Shkëndija sot përballen në Ligën e Konferencës

Evropa sjell një derbi të rrallë shqiptar, një duel që shkon përtej fushës së gjelbër dhe futbollit – Drita e Gjilanit përballet me Shkëndijën e Tetovës në një ndeshje ku në lojë është krenaria, identiteti dhe ambicia për të ecur më tej në garat ndërkombëtare.

Dy klube historike, dy filozofi loje dhe një synim i përbashkët: fitorja për të ecur tutje në Ligën e Konferencës.

Si Drita ashtu edhe Shkëndija këtë vit për herë të parë kanë arritur në fazën e ligës në Ligën e Konferencës dhe duan të bëjnë mrekulli, për t’u kualifikuar në raundin tjetër.

Sfida mes Dritës dhe Shkëndijës zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ sonte (e enjte) me fillim nga ora 21:00, derisa janë shitur deri më tani mbi 10 mijë bileta.

Ky është një takim që mbart emocion, histori dhe peshë kombëtare pasi zhvillohet vetëm një ditë para ditës së flamurit. Dy skuadra shqiptare ballë për ballë në Evropë, një skenë që nuk shihet shpesh dhe që pritet të ofrojë spektakël nga minuta e parë e deri në fund si në tribuna ashtu edhe në fushë.

Vlera e skuadrave

Sipas vlerësimeve të fundit, të dy skuadrat përballen me një vlerë të ngjashme në tregun futbollistik nga faqja e specializuar Transfermarkt.

Vendasit janë një skuadër që kanë vlerë prej 6,58 milionë euro, derisa mysafirët nga Tetova janë më lartë me 500 mijë euro, pasi vlera e skuadrës kuqezi është 7,1 milionë.

Futbollistët më të vlefshëm

Drita dhe Shkëndija kanë në radhët e tyre disa nga futbollistët më të mirë si në kampionatin kosovar ashtu edhe atë maqedonas.

Te Drita futbollisti më i vlerësuar është mesfushori Albert Dabiqaj, i cili vlerësohet 600 mijë euro nga Transfermarkt.

Kapiteni Rron Broja është në pozitën e dytë me vlerë prej 550 mijë eurove.

Në pozitat tre dhe katër janë dyshja, mbrojtësi Egzon Bejtulai dhe sulmuesi Almir Ajzeraj që vlerësohet nga 500 mijë euro, ndërkohë top pesë e mbyll sulmuesi Arb Manaj me një vlerë prejk 450 mijë euro.

Te skaudra tetovare lojtari më i vlerësuar është qendërmbrojtësi Klisman Cake, pasi reprezentuesi shqiptar ka një vlerë prej 700 mijë eurove.

Në pozitat dy dhe tre me vlerë nga 500 mijë euro janë mesfushori defensivë Reshat Ramadani si dhe sulmuesi anësorë Fabrice Tamba.

Ndërkohë top pesëshja e lojtarëve më të vlefshëm te Shkëndija mbyllet me dy mbrojtësit, Imran Fetai dhe Ronaldo Webster që vlerësohen nga 450 mijë euro.

Pikët në Ligën e Konferencës dhe ecuria në 10 ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe garave evropiane

Kur janë zhvilluar tre xhiro deri më tani në Ligën e Konferencës, Drita dhe Shkëndija janë në pozita të kënaqshme.

Kampioni në fuqi i Kosovës në tre ndeshjet e para nuk di për humbje, pasi ka marrë dy barazime dhe një fitore, derisa me pesë pikë të grumbulluara zë pozitën e 13 në tabelë.

Në anën tjetër Shkëndija ka marrë një fitore, një barazim dhe ka pësuar një disfatë, derisa me katër pikë zë vendin e 21-të.

Drita në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha garat ka marrë shtatë fitore, dy barazime dhe ka pësuar një disfatë.

Ndërkohë Shkëndija në 10 ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Ligës së Konferencës ka marrë pesë fitore, dy barazime dhe tre disfata.

Përballja e parë e dy skuadrave shqiptare në fazën e ligës në Evropë

Drita dhe Shkëndija është dueli i parë i dy skuadrave shqiptare në garat evropiane.

Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që dy ekipe shqiptare të përballeshin në fazën e ligës, por ka ndodhur në kualifikuese.

Shkupi ka qenë skuadra shqiptare që ka ardhur në Kosovë në dy raste duke u përballur me Llapin dhe Ballkanin.

Si Drita ashtu edhe Shkëndija kërkojnë të kalojnë tutje në fazën e Ligës, pasi do të shkruanin histori si skuadra e parë shqiptare që kalon tutje. Skënderbeu dy herë ka marrë pjesë në grupet e Ligës së Evropës, derisa Ballkani dy herë të tjera në grupet e Ligës së Konferencës. Por fatkeqësisht asnjëra skuadër nuk ka arritur të kalojë grupet dhe Drita e Shkëndija janë në pozitë të mirë për ta bërë një gjë të tillë. 

Related Articles