Varianti ‘Delta’ i rrezikshëm për qytetarët që nuk janë vaksinuar kundër COVID, MSH thirrje për kujdes të shtuar

Varianti ‘Delta’ i rrezikshëm për qytetarët që nuk janë vaksinuar kundër COVID, MSH thirrje për kujdes të shtuar

Mundësia për përhapjen e një vale të re të COVID-19, ekziston gjithnjë derisa të ketë përqindje të caktuar të popullatës e cila ende nuk e ka kaluar infeksionin.

Kështu ka bërë të ditur infektologu, Ilir Tolaj, në një intervistë për Gazetën “Enigma”.

Tolaj, njëherit vlerëson se në Kosovë një pjesë e popullatës nuk e ka kaluar ende COVID -19, ndërsa sipas tij pjesa tjetër po hezitojnë të vaksinohen. Për këtë arsye, ai tha se të gjithë ata që nuk e kanë kaluar infeksionin në mënyrë natyrore, ose që nuk vaksinohen janë të rrezikuar të infektohen.

“Duke e marrë parasysh ecurinë e deri tanishme të pandemisë në Kosovë dhe faktin se një përqindje jashtëzakonisht e madhe e popullatës e ka kaluar infeksionin, e një pjesë janë edhe duke u vaksinuar, edhe nëse në muajt në vijim do të ketë rritje të rasteve, nuk pres që kjo rritje të jetë e përmasave të valës së tretë të pandemisë të cilën e kemi lënë pas”, ka thënë ai.

I pyetur në lidhje me rrezikun e mos vaksinimit, Tolaj për Gazetën “Enigma” është shprehur se të dhënat nëpër botë po tregojnë se të infektuarit, të hospitalizuarit dhe ata që po vdesin nga varianti Delta, në mbi 90% të rasteve janë ata që nuk e kanë kaluar infeksionin ose nuk janë vaksinuar.

“Për këtë arsye vaksinimi masiv është mjeti i vetëm i ndikimit në ecurinë e mëtejme të pandemisë dhe kthimit sa më të shpejtë në normalitet”, ka shtuar ai

A kanë efekt vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca?

Tolaj më tutje ka treguar se vaksinat Pfizer, AstraZeneca dhe të gjitha vaksinat tjera antiCOVID që janë në përdorim nëpër botë, janë jashtëzakonisht të efektshme kundër infeksionit me virus, dhe varianteve të tij, duke e përfshirë edhe variantin ‘Delta’.


Vaksinimi masiv dhe plani operativ nëpër Komuna

Shefi i programit të imunizimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan, Ismet Uruqi, ka deklaruar për Gazetën “Enigma”, se procesi i vaksinimit në këtë komunë nuk ka probleme, dhe se ka furnizim të mjaftueshëm për procesin e vaksinimit.

“Jemi duke punuar me gjashtë ekipe, një ekip e kemi në Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjilan, e cila i ka mbi 200 pacient. Ekipet tona janë edhe në vizita shtëpiake për personat në nevojë dhe të moshuarit, kurse një ekip është pandërprerë në teren”, ka thënë Uruqi.

Tutje ai ka shtuar se “Nga data 12 korrik 2021, nuk ka kufizime për vaksinim të kategorive të pacientëve. E rëndësishme është aplikimi online, për ata të cilët nuk kanë mundësi të aplikojnë, i marrim informatat e nevojshme dhe i caktojmë termin për ditën e nesërme”.

Uruqi, po ashtu ka njoftuar se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës ose të ndërrojnë dozën e dytë.

“Kemi pas raste kur pacienti me dëshirën e tij, dozën e dytë ka dëshiruar të merr Pfizer meqëse në dozen e parë është vaksinuar me  AstraZeneca, por këto janë raste të rralla. Me udhëzim nga Ministria e Shëndetsis  janë lejuar të gjithë bashkatdhetarët me nënshtetësi kosovare të kenë mundësin të vaksinohen në Kosovë, por numri nuk është i madhë, në qendrën tonë kemi rreth 2 ose 3 mërgimtar në ditë”, ka treguar Uruqi.

Resmije Sadiku, qytetatare nga Komuna e Gjilanit, ka vlerësuar se ende nuk është vaksinuar, si pasoj e sterotipeve që janë krijuar në opinion.

Ajo madje thotë se nuk planifikon të vaksinohet, përpos nëse një gjë e tillë i kushtëzohet me udhëtim jasht vendit.

“Jo, nuk jam vaksinuar ende. Nuk e kam as ndërmend, sepse çdo ditë po lexoj lajme se si kjo vaksinë po ndikon keq te njerëzit. Unë vaksinohem vetëm atëherë kur bëhet me rregulla nga qeveria që më ndalon të dal jashtë Kosovës”, ka thënë ajo për Gazetën “Enigma”.

Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 388.073 doza të vaksinës, ndërsa deri më sot (28 korrik) 124.226 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Kujtojmë se nga Ministria e Shëndetësisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen në të mënyrë që të shtohet siguria për mos përhapjen e një varianti të ri të COVID-it.

Nga MSH kanë thënë se varianti ‘Delta’ i COVID-19 mund të përhapet më lehtë se sa variantet tjera, duke rritur kështu numrin e rasteve, shkallën e hospitalizimit dhe të vdekjeve, veçanërisht midis individëve jo të vaksinuar plotësisht.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles