Ekonomia “ura” që duhet t’i bashkojë Kosovën e Shqipërinë

Ekonomia “ura” që duhet t’i bashkojë Kosovën e Shqipërinë

Në vitet e fundit, marrëdhëniet ekonomike Kosovë–Shqipëri kanë marrë hov të ri, ndonëse ende nuk janë në formën e dëshiruar, shkruan Gazeta Enigma.

Projektet e përbashkëta në infrastrukturë, energji dhe sektorë privatë tregon se bashkëpunimi ekonomik është më shumë se thjesht një marrëdhënie tregtare – është një urë drejt integrimit rajonal.

Tregtia bilaterale dhe investimet e përbashkëta po forcojnë lidhjet ndërmjet dy vendeve shqiptare, duke e bërë Shqipërinë një partner strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës, edhe pse jo partnerin kryesor.

Statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se ekonomia e vendit po bëhet gjithnjë e më e varur nga importet, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

ASK në një përgjigje për Gazetën “Enigma” deklaroi se eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s në vitin 2025 arritën në 39,6 milion Euro, ose 43,1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-0,8%).

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 7,5% në muajin tetor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 530,0 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 493,0 milion Euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 14,8%”, deklaroi Bekim Bojku – Udhëheqës i Divizionit të Statistikave Ekonomike.

“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2025 kishte vlerën 91,8 milion Euro, ndërsa importi 621,8 milion Euro, që është një rritje prej 5,1% për eksport, si dhe një rritje prej 7,2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, tha Bojku për Gazetën “Enigma”.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 39,6 milion Euro, ose 43,1% të eksporteve  të përgjithshme, me një rënie prej (-0,8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15,3%), Maqedonia e Veriut (12,5%), Serbia (6,9%), Mali i Zi (6,8%), etj”.

Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s patën një rritje prej 1,4%, ku kryeson Maqedonia e Veriut, pasuar nga Serbia dhe në fund është Shqipëria.

“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 75,5 milion Euro, ose 12,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1,4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,0%), Serbia (3,6%), Shqipëria (3,2%)”.

Lëvizje pozitive me Shqipërinë në eksport?

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki duke i komentuar marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe Shqipërisë thotë se ka pasur  se lëvizje pozitive në rritjen e eksportit.

“Sa i përket tregtisë së jashtme Kosova është duke e përkeqësuar bilancin tregtar me jashtë ku nga 16 për qind që ka mbuluar importin me eksport tani ka rënë në vitin e kaluar në 14.7 për qind kurse në këtë vit kanë rënë në 12.4, pra është përkeqësuar bilanci tregtar me jashtë”, tha Shatri për “Enigmën”.

“Në kuadër të kësaj me Shqipëri kemi njëfarë lëvizje duket pozitive ku eksporti është rritur për pesë vite nga 110 milion në 170 milion. Ndërsa në Serbi është rritur prej 30 milionave në 53 milion. Kurse importi është rritur në 338 milion me Shqipërinë nga 191 sa ka qenë në vitin 2020”, ka theksuar ish-ministri i Financave.

“Afërsia gjeografike dhe lidhjet emocionale nuk kanë sjellë rezultate të lakmueshme me Shqipërinë”

“Këmbimi tregtar me Shqipërinë është shumë më e ulët se sa është dinamika e eksportit dhe importit në krejt botën. Pra marrëveshjet tregtare, afërsia, lidhjet tjera që i kemi emocionale, afërsia gjeografike nuk kanë sjellë ndonjë rezultat të lakmueshëm”, deklaroi Shatri.

Sipas ish-ministrit këto shifra tregojnë se në tregtinë e jashtme kanë ndikuar edhe bizneset private, por jo vetëm, edhe ftohja e raporteve shtetërore zyrtare nga ana e Qeverisë sonë dhe asaj të Shqipërisë.

“Puna e tregtisë së jashtme është punë e biznesit privat ku jepet mundësia për me ble dhe me shit, por mendoj se ka ndikuar edhe ftohja e raporteve shtetërore zyrtare të qeverisë tonë me qeverinë e Shqipërisë, kontaktet e rralla dhe gati të pamjaftueshme, disa marrëveshje të lidhura njëherë por që duket se s’janë respektuar as se ka kthye kryet kush me pa çka kanë shkrua e çka s’kanë shkru në to”, tha Shatri.

“Bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri po përmirëson jetën e qytetarëve”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani është shndërruar në një përkushtim të thellë.

Ai ka theksuar se ky bashkëpunim nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Kurti përmendi se gjatë katër viteve të fundit janë nënshkruar 58 marrëveshje nga gjithsej 184, të cilat prekin drejtpërdrejt qindra mijëra qytetarë çdo ditë.

Ai ka theksuar se ky bashkëpunim nuk është vetëm fjalë, por edhe veprim si rritja e tregtisë me qindra milionë euro, qarkullim energjie pa pengesa, organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, mundësi të barabarta për studentët, 26 vendkalime kufitare të reja dhe projekti madhor i hekurudhës Prishtinë–Durrës.

/Gazeta Enigma.

Related Articles