Parlamenti Studentor ka njoftuar se bashkë me Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, kanë arritur një marrëveshje në dobi të studentëve të UP-së, ku do të lejohet afati i nëntorit dhe prillit në Universitetin e Prishtinës, raporton Gazeta “Enigma”.
Parlamneti Studentor ka theksuar se ky vendim synon të garantojë barazi dhe qasje të njëjtë për të gjithë studentët, pavarësisht fakultetit ku ndjekin studimet.
“Me kërkesën e Parlamentit Studentor, është aprovuar faza dyvjeçare e tranzicionit për afatet e rivlerësimit (Nëntor/Prill). Pas miratimit në Senatin e Universitetit, këto afate do të aplikohen në të gjitha njësitë akademike të UP-së gjatë kësaj periudhe tranzitore. Parlamenti Studentor ka falënderuar Rektorin e UP-së, prof. Arben Hajrullahu, si dhe prorektorët Adem Beha dhe Majlinda Zhitija Gjelaj, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të kërkesave studentore. Po ashtu, një falënderim i veçantë u është drejtuar edhe të gjitha organizatave studentore që kontribuan në këtë proces. Parlamenti Studentor ka theksuar se do të vazhdojë të jetë zë i kërkesave të të gjithë studentëve të Universitetit të Prishtinës, pa dallime”, thuhet në njoftimin e tyre.
