Shoqëria civile: Veprimet e pesë anëtarëve në KPK, tendencë për bllokimin e reformës

Shoqëria civile: Veprimet e pesë anëtarëve në KPK, tendencë për bllokimin e reformës

Tri organizata joqeveritare kanë reaguar të martën duke e cilësuar si tendencë për bllokimin e reformës në sistemin prokurorial veprimin e pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës në mbledhjen e së hënës kur vendosi për ta refuzuar raportin e komisionit për zgjedhjen e një anëtareje të re, raporton Gazeta Enigma.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO) kanë thënë se veprimet e pesë anëtarëve të KPK-së që morën këto vendime ishin të kundërligjshme dhe abuzuese.

“Përmes këtyre veprimeve, ky grup i anëtarëve të KPK synon të mbajë shumicën në KPK edhe pas reduktimit të përbërjes së KPK”, thuhet në reagim.

Më 20 nëntor, me pesë anëtarë të KPK-së 11-anëtarëshe, u vendos për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Në vend të tij u caktua Agron Qalaj. Sipas organizatave, ky vendim ishte i kundërligjshëm për shkak të mungesës së kuorumit. E Qalaj, të hënën mori pjesë në takim, “duke ua bërë kuorumin e nevojshëm një pjese të anëtarëve të KPK, shumica prej të cilëve kanë mandat vetëm deri në janar 2026, ashtu që të mundësohet vazhdimi i vendimeve të kundërligjshme”.

Pesë anëtarët që e zgjodhën Qalajn më 20 nëntor votuan të hënën edhe kundër raportit të zgjedhjes së një anëtareje të KPK-së, ku më e votuara doli Elza Bajrami-Kastrati. Anëtarët e pranishëm thanë se procesi i votimit nuk ishte i rregullt, e disa prej tyre e kritikuan edhe rregulloren e miratuar nga vetë KPK-ja.

“Më këtë qasje të kundërligjshme, KPK synon që të përmbysë vullnetin e 74 prokurorëve, të cilët votuan për përfaqësuesin e tyre në KPK. Kjo përkundër se janë shtjerrur të gjitha procedurat administrative për konstatimin e shkeljeve në këtë proces”, u tha në reagimin e organizatave. “Neni 12.1. i Rregullores Nr.05/2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorëve të KPK i jep mundësi kundërkandidatëve që në rast të pretendimit për shkelje procedurale, të parashtrojnë ankesë në KPK brenda 72 orëve. Kandidatja në këtë proces, e cila nuk morri numrin e votave të mjaftueshme për tu përzgjedhur në pozitën e anëtares së KPK, ushtroj këtë të drejtë dhe paraqiti ankesë në KPK. KPK refuzoi këtë ankesë me datën 13 nentor 2025. Sipas paragrafit 3 të këtij neni, “Pas shqyrtimit të ankesave, Këshilli brenda shtatë (7) ditëve shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor”.

Related Articles