Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar aderimin e Mehmet Klinakut në radhët e partisë, duke e prezantuar atë si kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Haradinaj ka thënë se Klinaku, arkitekt me profesion dhe afarist i njohur në Gjermani, do të sjellë energji pozitive dhe vizion të qartë për tërheqjen e investimeve nga diaspora, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Kënaqësi ta mirëpresim aderimin në AAK të Mehmet Klinakut nga Vushtrria. Ai do ta begatojë listën e AAK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Diaspora nuk duhet të përmendet vetëm kur nevojiten votat, ajo duhet të jetë aksionare kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës,” ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka shtuar se shteti duhet të krijojë kushte më të lehta për diasporën në marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të ndryshme, përmes ekipeve mobile dhe zgjidhjeve praktike.
