Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, janë mbyllur zyrtarisht paraqitja e provave në rastin e tyre, shkruan Gazeta Enigma.
Këtë njoftim mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit e kanë bërë ndaras më 2 dhjetor 2025.
Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
