Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar lidhur me deklarimet e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, kundrejt disa gazetarëve. Kjo organizatë i ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme gjuhën e përdorur nga ai, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas AGK-së “akuzat e Kurteshit e rrezikojnë gazetarët duke nxitur sulme të mundshme ndaj tyre”.
Reagimi i plotë:
Deklaratat e Sami Kurteshit- të papërgjegjshme dhe të rrezikshme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon fuqishëm gjuhën e papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, nga partia politike Vetëvendosje.
Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”.
LEXO EDHE: Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmin e Kurteshit ndaj gazetarëve
Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren.
Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend.
AGK-ja e fton Vetëvendosjen, liderin e saj Albin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
