Rektori: Fakulteti i Bujqësisë rrezikon mbylljen, KEDS-ja ka uzurpuar pronën e UP-së

Rektori: Fakulteti i Bujqësisë rrezikon mbylljen, KEDS-ja ka uzurpuar pronën e UP-së

Të premten Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka njoftuar për rrezikun e mbylljes së Fakultetit të Bujqësisë, me ç’rast ka fajësuar uzurpimin e pronës së Universitetit të Prishtinës nga kompania KEDS dhe mungesën e funksionalizimit të objektit të ri që nga viti 2013.

“Fakulteti i Bujqësisë në kampusin e UP-së, në drejtim të daljes së Prishtinës. Atje kemi një kampus ku është ndërtuar një objekt i Fakultetit të Bujqësisë, i cili që nga viti 2013 nuk është funksionalizuar. Janë investuar miliona të taksapaguesve të Kosovës. Jemi në këtë gjendje dhe do të na mbyllet as më pak se sot sepse nuk kemi asnjë mundësi t’i akreditojmë programet e fakultetit nëse nuk e kemi objektin. Na nevojitet një objekt, dhe miliona të taksapaguesve të Kosovës janë derdhur mbi një dekadë”, tha ai.

Hajrullahu tha se institucionet shtetërore kanë ofruar mbështetje, por se situata është rënduar me veprimet e KEDS-it në pronën e UP-së.

“Dua t’i falënderoj institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kryeministria, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Arsimit; na kanë dhënë mbështetjen për funksionim. Për momentin studentët janë të shpërndarë në fakultete të ndryshme. Kemi ardhur në një moment kyç: kompania KEDS e ka uzurpuar pronën, ka vendosur disa tenda dhe pronën e UP-së është duke e trajtuar si pronë të tyre. Ne nuk mund të funksionojmë me largpërçues të tensionit të lartë mbi objekt”, theksoi ai.

Ai tha se UP-ja ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme për situatën, por është injoruar nga kompania energjetike.

“Kërkesë zyrtare më 7 korrik 2025, ku KEDS-it i kemi kërkuar në mënyrë urgjente që të na mundësojë largimin e telave dhe largpërçuesve. Na ka mbështetur për muri, në shtëpinë tonë. Para dy ditësh kemi dalë me sqarim publik, në të cilin ndër të tjera apelojmë institucionet e Kosovës, si dhe gjithë shoqërinë, që të mos e mbyllin këtë fakultet. Të gjitha strategjitë ndërkombëtare tregojnë për zhvillim ekonomik. Ne na kanë shtyrë për muri dhe fakulteti do të mbyllet; e shihni sa serioze është gjendja. KEDS-i na ka injoruar dhe jemi detyruar t’ua bllokojmë hyrjen në depon e tyre ilegale. E kam konsideruar të nevojshme ta njoftoj publikun për cenimin e pronave publike dhe t’iu bëj apel për reflektim dhe zgjidhje të problemit”, tha Hajrullahu.

Rektori paralajmëroi masa nese situata nuk zgjidhet.

“Ne nuk jemi të interesuar ta tensionojmë situatën dhe javën tjetër do t’i ndërmarrim të gjitha hapat për t’i larguar të gjitha depot nga UP-ja, dhe hapat do të shkojnë deri aty sa të shkojmë te dera e KEDS-it me profesorë dhe studentë, në zyrën qendrore, dhe t’ua bllokojmë hyrjen”, theksoi ai.

Rektori theksoi se problemet me pronat e UP-së nuk kufizohen vetëm nga KEDS-i.

“Nuk është vetëm KEDS-i, pronat e UP-së kanë qenë në shënjestër dhe të cenuara. Ftoj të gjithë uzurpatorët të largohen nga pronat e Prishtinës. Do t’i dalim zot pronës sonë. Kemi biznese private në kampusin e Fakultetit të Bujqësisë. Ftoj publikisht Lesna dhe Jonamed që të mos vijnë në një situatë të njëjtë si me KEDS-in”, shtoi Hajrullahu.

Related Articles