Hill kujton bisedimet me Millosheviqin: S’pranoi kompromis për Kosovën, s’ishte as partner i besueshëm

Hill kujton bisedimet me Millosheviqin: S’pranoi kompromis për Kosovën, s’ishte as partner i besueshëm

Diplomati amerikan Christopher Hill në një intervistë në “Euronews Albania” ka treguar se Sllobodan Millosheviqi kurrë s’kishte qenë i gatshëm të bënte kompromis për Kosovën.

Hill ka treguar për sfidat e negociatave dhe vendimet e asaj periudhe.

“Ai na ndihmoi në Bosnjë, por nuk pranoi kurrë kompromis për Kosovën – nuk ishte partner i besueshëm. Ndonjëherë nuk ke shumë zgjedhje; nuk janë zgjedhje ideale, por janë ato që ke. Kam punuar fort për zgjidhje politike pas Rambujesë. Nuk e arrita gjithmonë, por bëra më të mirën time. Përdorimi i forcës hap probleme të tjera, dhe unë fajësoj Millosheviçin sepse ai nuk donte të punonte me ne, por askush nuk duhet të jetë i lumtur për përdorimin e forcës”, tha Hill në intervistën për “Now me Erla Mëhillin”.

Kjo, sipas Hill, solli situatën në një pikë shumë të rrezikshme dhe vështirësinë e diplomacisë ndërkombëtare në gjetjen e një zgjidhjeje pa përdorur forcën.

“Ai ka vdekur tashmë, pra është më lehtë që të flasësh për liderë që nuk janë më mes nesh. Unë mendoj se ai ishte i gatshëm që të gjendej një zgjidhje në Bosnje dhe në fakt na ndihmoi për çështjen e Bosnjës. Nuk ishte i gatshëm për Kosovën, nuk ishte fare i gatshëm për Kosovën që të gjenim një zgjidhje dhe prandaj përfunduam në një situatë të rrezikshme në Kosovë e cila mund të përkeqësohej edhe më tej. Kur ai thoshte se do t’i bënte gjërat, përgjithësisht i bënte, por ti asnjëherë nuk ndjeje se kishe një partner. Mendoj se ne kemi bërë mjaft progres me Serbinë, por ata kanë probleme të mëdha energjetike sepse varen nga Rusia, e cila përdor energjinë si armë. Është e rëndësishme të ndihmojmë Serbinë të largohet nga ky kërcënim. Kam punuar shumë edhe mbi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Ukrainës, por ka dhe çështje ku duhet të vijojmë punën” u shpreh Hill.

Hill ka folur edhe për vendimin e tij për të dëshmuar në Dhomat e Specializuar në Hagë si dëshmitar i ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Hill ka thënë se vendimi për të dëshmuar ishte përgjegjësi morale.

“Ai nuk më kërkoi për mbështetje, unë fola me disa njerëz sepse mendoja se ishte një përgjegjësi morale dhe vërtet mendoj se është një përgjegjësi morale. Isha aty, në vende të ndryshme në Kosovë, nuk qëndrova vetëm në Prishtinë, kam qenë në të gjitha fshatrat ku ka pasur krime lufte. Unë ama në atë kohë nuk di asnjë lloj krimi për të cilin mund të thosha se u shkaktua nga Thaçi dhe ai tani ka diku tek 5 vjet që është në burg, në paraburgim, dhe unë ndjeva se ishte përgjegjësi morale që të shkoja në Hagë, siç bëra, dhe kalova 3 ditë duke dëshmuar dhe ndonjëherë ishte e vështirë, sepse prokurori ishte mjaft i ashpër për këtë çështje. Por unë ndjeja se ishte diçka e padrejtë për ta mbajtur atë aty. Shqetësimi im ishte se aty gjatë luftës, unë pashë shumë gjëra gjatë luftës, por asnjëherë nuk pashë Hashim Thaçin të vriste njerëz apo të jepte urdhra që të vriteshin njerëz, nuk pashë diçka të tillë. Dhe kur mu kërkua që të dëshmoja, pranova”, tha ai.

Ambasadori shprehu gjithashtu rëndësinë e sqarimit të rolit të UÇK-së, duke theksuar se nuk ishte një njësi plotësisht e komanduar nga Thaçi, por me aktorë të pavarur.

Related Articles