Qeveria britanike shkurton ndihmën për Ballkanin Perëndimor

Qeveria britanike shkurton ndihmën për Ballkanin Perëndimor

Qeveria britanike ka ulur ndjeshëm fondet kundër ndikimit rus dhe dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka shkurtuar rreth 40% të buxhetit të dedikuar për këtë rajon, i cili nga vetë kryeministri Keir Starmer është cilësuar si jetik për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

Financimi britanik për Ballkanin Perëndimor është reduktuar nga 40 milionë paund vitin e kaluar në 24 milionë paund për periudhën 2025–2026. Fondet ishin parashikuar për të përballuar kërcënimet që lidhen me agresionin rus, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit në rajon.

Shkurtimi prek Fondin e Integruar të Sigurisë (ISF), i cili synon adresimin e kërcënimeve më të larta ndaj sigurisë kombëtare të Britanisë, brenda dhe jashtë vendit.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor përfshin Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Vitit e kaluar, fondet e ISF-së u përdorën për të kundërshtuar sulmet kibernetike keqdashëse, për të mbështetur institucionet demokratike dhe për të forcuar median e pavarur në rajon”, shkruan The Guardian.

Sipas të dhënave zyrtare, Ndihma Zhvillimore (ODA) për Ballkanin Perëndimor është ulur nga 31.9 milionë paund në 17 milionë paund, ndërsa edhe fondet jo-zhvillimore kanë pësuar shkurtim. Këto masa janë pjesë e planit të qeverisë britanike për të reduktuar ndihmën zhvillimore nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare deri në vitin 2027.

Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin britanik, Emily Thornberry, paralajmëroi se Ballkani Perëndimor ndodhet në vijën e parë të përballjes me dezinformimin rus. Ajo theksoi se nevojitet më shumë mbështetje për median e pavarur, jo më pak, pasi qytetarët kanë vështirësi të aksesojnë informacion të besueshëm.

Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë shprehur shqetësim, duke paralajmëruar se shkurtimet rrezikojnë të dobësojnë parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes në një rajon të brishtë.

Nga ana tjetër, qeveria britanike u shpreh se këto shifra përfaqësojnë vetëm një pjesë të investimeve totale të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se fondet e ISF-së ndryshojnë sipas prioriteteve të sigurisë kombëtare.

Related Articles