Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në 36 vjetorin e themelimit të partisë, shkroi për këtë subjekt politik, që thotë se mbetet “garantuese e shtetësisë së vendit”.
Bajrami tha se idealistët e asaj kohe, në krye me Ibrahim Rugovën, u bashkuan rreth idealeve më të larta: lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Ndërsa sot, ajo thotë se më shumë se kurrë, “Kosovës i duhet vizioni dhe kthjelltësia që e kishte Rugova”.
Shkrimi i plotë i kandidates për deputete:
“Liri. Pavarësi. Demokraci.
Në kohë të rënda për Kosovën, 36 vjet më parë, gra e burra u mblodhën dhe themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës. Idealistët e asaj kohe, në krye me Ibrahim Rugovën, u bashkuan rreth idealeve më të larta: lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet vizioni dhe kthjelltësia strategjike që e kishte Rugova për të forcuar shtetin dhe për të konsoliduar aleancat me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Edhe sot, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet garantuese e shtetësisë së Kosovës.
LDK është themeli politik
mbi të cilin u ndërtua shteti dhe orientimi i tij euroatlantik.
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!”
